Bota Postuar më 16 Mars 2026, 10:09

Ekonomia e Kinës, vrulli i hershëm në vitin 2026 - Rreziqet globale që po shtohen mund ta frenojnë rritjen

Nga SCAN TV

Ekonomia e Kinës, vrulli i hershëm në vitin 2026 - Rreziqet

Ekonomia e Kinës e nisi vitin me një bazë më të forte rritje. Prodhimi i fabrikave u përshpejtua, shitjet me pakicë dhe investimet u rimëkëmbën në janar-shkurt, duke ofruar një lehtësim të hershëm për politikëbërësit. Por  ndërkohë lufta SHBA-Izrael me Iranin po sjell pasiguri të reja për rritjen.

Për këtë shkak analistët paralajmëruan për rreziqe të reja parë nga perspektiva dhe tensioni gjeopolitik, vecanërisht tendosja globale në tregti dhe tregjet e energjisë.

Gjithsesi në dymujorin e parë të vitit Kina njohu rritje të eksporteve të nxitur nga kërkesa e shtuar për teknologji të lidhur me inteligjencën artificiale, e cila gjithashtu nxiti prodhimin. Prodhimi industrial kinez u rrit me 6.3% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, treguan të dhënat e Byrosë Kombëtare të Statistikave.

Shitjet me pakicë, një matës i konsumit, u rritën me 2.8%, duke u përshpejtuar nga ritmi prej 0.9% në dhjetor, duke shënuar fitimin e tyre më të madh që nga tetori i vitit të kaluar. Rritja e fortë u nxit pjesërisht nga festat më të gjata të Vitit të Ri Hënor në vend në shkurt. Festimet ndihmuan në rritjen e shpenzimeve totale të turizmit me pothuajse 19% krahasuar me të njëjtën periudhë festive të vitit të kaluar. Kina kombinon publikimet e të dhënave të janarit dhe shkurtit për të zbutur shtrembërimet nga festat e fundvitit, të cilat mund të bien në secilin muaj.

Të dhënat e së hënës dhanë një tjetër shenjë inkurajuese për politikëbërësit, pasi një rritje e papritur e investimeve ia lehtësoi disi sfidën e një rënieje të zgjatur në sektorin kritik të pronave. Investimet në asetet fikse, të cilat përfshijnë investimet në prona dhe infrastrukturë, u zgjeruan me 1.8% në dy muajt e pare të këtij viti. Investimet në infrastrukturë udhëhoqën rimëkëmbjen, duke u rritur me 11.4%, ndërsa mbështetja e politikave, duke përfshirë një mjet të ri financimi nga bankat për të financuar projekte kyçe, filloi të hyjë në fuqi. Gjithsesi shkalla e papunësisë në të gjithë vendin bazuar në anketa u rrit në 5.3% në dy muajt e parë nga 5.1% që ishte në dhjetor. Analistët thonë se Kina përballet me sfida të rëndësishme ndërsa përpiqet të nxisë një rritje të qëndrueshme afatgjatë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat