Kosova Postuar më 31 Maj 2022, 14:49

Ekonomia e Kosovës, në rritje me 4,4% - Ecuria kryesisht nga eksportet neto dhe sektorit publik, veçanërisht shpenzimeve kapitale

Nga SCAN TV

Pas një rritje dyshifrore prej 10.5% në vitin 2021, ekonomia e Kosovës pritet të shënojë një rritje më të moderuar, kryesisht si rezultat i tronditjeve në zinxhirin e furnizimit në tregjet globale dhe pasojave të luftës në Ukrainë.

Sipas projeksioneve të fundit të Ministrisë së Financave, ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2022 pritet që të shënojë rritje nominale prej 9.9%, ndërsa në terma realë me rreth 4.4%. Ky vlerësim përbën një rishikim për poshtë nga vlerësimet fillestare, duke reflektuar presionet e rritura inflacioniste nga lufta në Ukrainë, ndërkohë që rreziqet e lidhura me pandeminë janë ulur ndjeshëm. Rritja reale prej 4.4% në vitin 2022 pritet të vijë kryesisht si rezultat i eksporteve neto dhe sektorit publik, veçanërisht shpenzimeve kapitale.

Ndërkohë, ndikimi negativ i presioneve të larta inflacioniste në të ardhurat dhe në besimin e konsumatorëve pritet të çojë në një kontribut negativ të konsumit privat në rritjen reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Po ashtu, investimet private pritet të frenohen si rezultat i rritjes së pasigurisë kombinuar me rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Presionet e larta inflacioniste që karakterizuan pjesën e dytë të vitit 2021 dhe fillimin e vitit 2022, priten të vazhdojnë edhe në muajt në vijim, nxitur nga rritja në çmimet e ushqimeve dhe energjisë, ndërkohë që në pjesën e dytë të vitit pritet normalizimi i kësaj tendence rritëse, duke shënuar një vlerë mesatare prej 6.6% për gjithë vitin 2022.

Sipas dokumentit të Ministrisë së Financave, në periudhën afatmesme (2023-2025), ekonomia e Kosovës pritet të shënojë rritje reale që qëndron mbi mesataren historike të para pandemisë, duke u luhatur rreth vlerës 5.5%, në terma realë.

Konsumit privat pritet të ketë rritje reale mesatare prej 4.4% duke dhënë kontributin më të lartë në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Kjo rritje pritet të vijë kryesisht si rezultat i një zgjerimi më të madh të kreditimit, nxitur edhe nga rritja e kapitalizimit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Po ashtu, prurjet e emigrantëve priten të vazhdojnë të mbetet një burim i rëndësishëm i financimit të konsumit privat. Ndërkohë, investimet private pritet që pas vitit 2022, në periudhën afatmesme, të shënojnë rritje me një kontribut pothuajse konstant në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Kjo do t’I atribuohet rritjes së kreditimit por edhe rritjes së eksportit të mallrave, i cili nxit investimet private.

Konsumi publik pritet që të shënojë ulje reale mesatare prej 0.4%, për shkak të përfundimit të shpenzimeve të Pakos së Ringjalljes Ekonomikë gjatë vitit 2022. Reformat e mëtejshme për të nxitur konkurrrueshmërinë do të ndihmonin në ruajtjen e momentumit pozitiv në ecurinë e eksportit të mallrave në afatin e mesëm. Inflacioni, në periudhën afatmesme, pritet të kthehet në normalitet, në skenarin se nuk do të ketë valë të reja të pandemisë dhe çrregullimeve të mëtejshme në zinxhirin global të furnizimit, me një vlerë mesatare prej 2.5%.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat