Shqipëria Postuar më 15 Nëntor 2023, 10:20

Efektet e para pas rritjes së normës bazë të interesit - Yieldi i bonove 12-mujore, arrin në 3,31%. Më i larti që nga muaji qershor

Nga SCAN TV

Rreth dy javë pasi Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit në 3,25%, janë ndjerë efektet e para në tregun financiar të vendit. Në ankandin e zhvilluar të martën yeldi mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore ishte 3,31%, kundrejt 3,1% të regjistruar në ankandin e fundit të muajit tetor. Ky nivel është edhe më i larti që prej muajit qershor.

Në ankandin e fundit, nga 9 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa për rreth 8.3 miliardë lekë, ndërsa u pranuan kërkesat në vlerën rreth 8 miliardë lekë.

Yieldi mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore ka ndjekur një trajektore rënëse gjatë gjithë vitit 2023, ku në ankandin e parë të muajit janar u regjistrua në 5,34%. Kjo rënie vijoi deri në ankandin e datës 31 tetor, pavarësisht rritjes së normës bazë të interesit nga Banka Qendrore në fillim të muajit mars në 3%.

Gjithsesi, diferenca aktuale mes normës bazë dhe yeldit të bonove 12-mujore mbetet e vogël, por tashmë pritet edhe ndikimi në rritjen e normave të interest të kredive.

Inflacioni i lartë në nivelin 4,1% gjatë shtatorit detyroi Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë të rriste normën bazë në mbledhjen e 1 nëntorit. Ndërkohë, Guvernatori Sejko paralajmëroi lëvizje të tjera për sipër të normës bazë, nëse inflacioni bazë do të vijojë të qëndrojë në nivele të larta.

Dorian Koça/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat