Europa Postuar më 27 Shtator 2023, 11:11

Çmimet e larta rrisin investimet në ullishte - Prodhuesit spanjollë të vajit të ullirit joshin kapitalin privat

Nga SCAN TV
Çmimet e larta rrisin investimet në ullishte - Prodhuesit

Firmat me kapital privat po kthejnë vëmendjen e tyre tek fermat e ullirit në Spanjë dhe Portugali, vende që përdorin teknika të reja bujqësore për të rritur prodhimin, pasi shohin fitime të mëdha në një kohë që çmimet janë dyfishuar që nga fillimi i 2023.

Menaxheri i fondit spanjoll “Beka Finance” ka lançuar fondin e parë me partnerin industrial portugez Bolschare për të investuar në kultivimin super intensiv të ullinjve dhe bajameve. I inkurajuar nga bastet e saj për çmime më të larta, “Beka” pret kthime deri në 20% nga fondi i ri, krahasuar me 11% fillestare gjatë 10 viteve që u ofroi investitorëve. Sipas drejtorit menaxhues të “Beka Finance”, Fernando de la Vega, ka gjithnjë e më shumë interes për të investuar në këtë sektor, pasi një fermë e mirëmenaxhuar është biznes i mirë. Ai pret që çmimet e vajit të ullirit të mbeten mbi parashikimet fillestare të fondit.

Investimet po bëhen për të krijuar ullishte moderne, superintensive në një vend ku shumica e fermave ende kultivohen nga prodhues të vegjël që korrin me dorë dhe punojnë kolektivisht për të prodhuar vaj ulliri ekstra të virgjër.

Në Spanjë, çmimi i vajit të ullirit ekstra të virgjër është dyfishuar që nga fillimi i vitit, duke arritur në 8.20 euro për litër në shtator, pasi prodhimi është përgjysmuar, kryesisht për shkak të thatësirës.

Në disa supermarkete spanjolle, 1 litër është shitur për më shumë se 10 euro që nga gushti. Ndërsa konsumi në Spanjë dhe Itali ka rënë për shkak të çmimeve më të larta, kërkesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet e fortë, sipas deklaratës së prodhuesit kryesor në botë të vajit të ullirit, Deoleo.

Fondi Iberik i Agrobiznesit “Beka & Bolschare” i bazoi parashikimet e tij fillestare në një çmim mesatar historik për vajin e ullirit në Spanjë prej 2.70 euro për litër.

Spanja, prodhuesi më i madh në botë i vajit të ullirit dhe përcaktuesi i çmimeve, mbështetet kryesisht tek reshjet dhe jo nga vaditja për të ujitur ullinjtë e saj. Thatësira e vazhdueshme do të gjenerojë një korrje të ngjashme në vitin 2024, sipas vlerësimeve të disa prodhuesve të vajit të ullirit në Spanjë.

Parashikimi më konservator i “Beka Finance” është se çmimet e vajit të ullirit do të jenë mbi 7 euro për litër deri në fund të vitit, edhe nëse reshjet përmirësohen. Në të gjithë skenarët e tij, çmimet vitin e ardhshëm do të jenë mbi 5 euro për kilogram.

Fondi kanadez “Fiera Comox”, i specializuar në bujqësi, ra dakord për një marrëveshje blerjeje aksionesh me “Cibus Capital” për të blerë prodhuesin spanjoll të vajit të ullirit Innoliva këtë muaj. Sipas kompanisë “Innoliva”, fondet e kapitalit privat janë të interesuar për ullishte moderne që përdorin teknologjinë për të rritur ullinj me densitet super të lartë.

“Innoliva” zotëron rreth 8 mijë hektarë terren në Spanjë dhe Portugali, duke përdorur teknika që e lejojnë atë të mbjellë 2 mijë pemë të vogla për hektar, krahasuar me më pak se 200 pemë në plantacionet tradicionale. Kompania gjithashtu mbështetet në sistemet inteligjente të ujitjes dhe vjeljen mekanike të ullinjve për të qenë më produktiv dhe efikas. Fondi “Beka” ka investuar edhe në 1200 hektarë ullishte në Portugali, ku ka siguruar ujitje nga një rezervuar artificial.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat