Europa Postuar më 18 Gusht 2022, 11:30

Çmimet e gazit u dhjetëfishuan brenda një viti - Gjermania vazhdon të mbajë hapur centralet bërthamore!

Nga SCAN TV
Çmimet e gazit u dhjetëfishuan brenda një viti - Gjermania

Dhjetë herë më i lartë në krahasim me një vit më parë: është çmimi që ka arritur në 16 gusht gazi në tregun europian të referimit. Aktualisht çmimi i gazit është 223 euro megavatorë ndërsa në fund të gushtit në vitin 2021 ishte rreth 27 euro. Energjia elektrike ka kaluar pragun e 540 euro për megavatorë.

Në këtë skenar të paqëndrueshmërisë së fortë, Gjermania vendos të mbajë hapur tre centralet bërthamore të cilat duhej të ishin mbyllur në muajin dhjetor si ishte vendosur nga qeveria e kancelares Merkel. Kancelari aktual Scholz u shpreh se kapaciteti i këtyre centraleve mund të përdoret në sezonin e dimrit. Sipas raportimeve të Uall Street Journal, vendimi duhet miratuar formalisht nga qeveria dhe ndoshta do të ketë nevojë për një votim dhe në parlament.

Gjithnjë për të garantuar rezerva të mjaftueshme Gjermania ka vendosur një shtesë prej 2.4 cent për kilovatorë në faturat e gazit për të gjithë qytetarët. Një vendim që do të hyjë në fuqi në 1 tetor. Kjo shtesë do të lejojë kompanitë që të ‘shkarkojnë’ tek konsumatorët kostot e larta për blerjen e gazit. Sipas ministrit gjerman të ekonomisë kjo masë është e domosdoshme për të shmangur falimentimin e kompanive energjitike gjermane. Ndërsa kancelari Schoz u shpreh se shumë shpejt dp të miratohet një paketë e tretë ndihme financiare për qytetarët dhe sipërmarrjet.

Por nuk janë vetëm tensionet mes Bashkimit Europian dhe Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë që po shkaktojnë rritjen e çmimit të energjisë. Thatësira po ndikon në ashpërsimin e krizës me lumenjtë e tharë dhe lundrimin në rrezik.

Emergjenca hidrike ka goditur dhe industrinë bërthamore franceze. Deri pak kohë më parë Parisi mund të përballonte pa probleme reduktimet e furnizimeve nga Rusia, pikërisht falë industrisë bërthamore nga e cila vjen pjesa më e madhe e energjisë elektrike për të cilën ka nevojë. Por për shkak të të nxehtit uji i lumenjve ka arritur temperatura aq të larta sa nuk mund të përdoret për ftohjen e reaktorve. Kjo ka bërë që aktiviteti i centraleve të reduktohet ndjeshëm.

Aq sa qeveria e Parisit vendosi të mbajë në funksion 5 reaktorë. Emergjencës hidrike i shtohet dhe mirëmbajtja e rreth 20 centraleve nga 60 ekzistuese dhe kjo bën që industria bërthamore franceze të prodhojë shumë më pak se sa kapacitetet që ka. Rënia e prodhimit të energjisë elektrike po ushtron presion në tregje të ndryshme europiane, duke favorizuar rritjen e çmimeve. Franca është e detyruar t’i drejtohet vendeve fqinjë për të përmbushur kërkesën e brenshme. Vende  të cilat më parë mbështeteshin pikërisht tek prodhimi shtesë i Francës.

Dorina Kurtaj / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=FAVsD8n_vZo

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat