Europa Postuar më 28 Qershor 2024, 15:48

Britania vuan mungesën e madhe të investimeve - Konservatorët dhe laburistët prezantojnë zgjidhjet

Nga SCAN TV
Britania vuan mungesën e madhe të investimeve - Konservatorët dhe

Teksa Britania shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, po shfaqen patologjitë e ekonomisë së saj, të mbizotëruara nga mungesa e investimeve, ndërkohë që pamundësia e dy partive për t'u përballur me ‘të është e dukshme, siç tregojnë dhe programet e tyre. Partia Konservatore, nga ana tjetër, i referohet në mënyrë mjaft të turbullt ndërmarrjes së ‘veprimeve të guximshme’, ndërsa laburistët shpikin një tjetër neologjizëm, termin ‘ekonomi e sigurisë’. Asnjëri nuk citon shumë detaje, për arsyen e thjeshtë se numrat nuk dalin. Imazhi, ekonomik dhe fiskal, i Britanisë del i lehtësuar nga kërkimet përkatëse nga London School of Economics - LSE, por edhe nga të dhënat nga Instituti për Kërkimin e Politikave Publike.

Investimet e biznesit, të cilat në Britani përfaqësojnë mbi 50% të shpenzimeve afatgjata, arrijnë në rreth 10.5% të PBB-së. Kjo përqindje e ulët e rendit vendin në vendin e 28-të mes 31 vendeve anëtare të OECD-së, një pozicion veçanërisht i ulët për një ekonomi si ajo e Britanisë. Për sa i përket investimeve publike, LSE thekson se ajo ka mbetur e ngecur në një mesatare prej 2.5% të PBB-së që nga viti 1995 deri më sot, ndërsa mesatarja në ekonomitë e zhvilluara të G7 është 3.4% e PBB-së.

Gjithashtu, Instituti i Studimeve Fiskale nënvizon se investimet do të ulen më tej nga 2.4% e PBB-së që parashikohet të arrijë në vitin fiskal aktual, në 1.8% në periudhën 2028-2029. Siç theksojnë analistët ekonomikë të Reuters, ky reduktim është saktësisht e kundërta e asaj që i duhet Britanisë. Shkollat e saj po ‘shemben’, ndërsa sipas Komitetit Kombëtar të Pranimeve, nevojiten 22 miliardë paund, ekuivalente me 26 miliardë euro, për të përmirësuar rrjetin e transportit.

E gjithë kjo do të thotë se cilado qeveri që të dalë nga zgjedhjet e parakohshme, do të duhet të gjejë një mënyrë për të inkurajuar investimet e sektorit privat. Dhe vetëm për t'u marrë me ndryshimet klimatike, 36 miliardë paund, ekuivalente me 43 miliardë euro, do të duhet të investohen çdo vit deri në vitin 2050 dhe ato do të duhet të vijnë nga burimet e sektorit privat. Me pak fjalë, cilado qoftë qeveria e re e Britanisë, ose do të duhet të rrisë taksat ose të shkojë në huamarrje të mëtejshme.

Sipas manifestit të Laburistëve, të cilët kanë shanse më të mëdha për të fituar zgjedhjet, në dy vitet 2028-2029 ata planifikojnë të marrin 8.6 miliardë paund hua, një shumë e barabartë me 10.1 miliardë euro, nga taksat që planifikojnë të vendosin mbi fitimet e tepërta të kompanive të naftës dhe gazit, si dhe nga TVSH-ja e shkollave private. Problemi është megjithatë se sipas programit të tyre Partia Laburiste ka ambicie të sigurojë 6.2 miliardë euro nga goditja e evazionit fiskal. Domethënë nga një politikë që pak a shumë po e proklamojnë të gjithë, por askush nuk ka mundur ta zbatojë me sukses deri tani.

Dorina Kurtaj / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat