Shqipëria Postuar më 1 Nëntor 2023, 11:58

Biznesi, pesimist për ecurinë e aktivitetit - Konsumatorët, më optimistët. Por, frenojnë niveli i çmimeve dhe papunësia

Nga SCAN TV
Biznesi, pesimist për ecurinë e aktivitetit - Konsumatorët,

Sipërmarrja e sheh me pesimizëm ecurinë e aktivitetit në sektorë të tillë si industria, ndërtimi, tregtia dhe shërbimet. Ndërsa, konsumatorët shprehen më optimistë, por frenohen në vlerësimin e tyre për shkak të nivelit të çmimeve dhe të papunësisë. Këto janë gjetjet e Bankës së Shqipërisë, në publikimin e fundit “Vrojtimi i Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit” për muajin tetor.

Gjatë këtij muaji, treguesi i përgjithshëm i ndjesisë ekonomike shënoi nivelin 110.9,  duke qëndruar në të njëjtën vlerë si në muajin shtator dhe 10.9 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Treguesi i besimit të industrisë regjistroi rënien më të madhe në tetor me 3.7 pikë përqindjeje, i ndikuar nga vlerësimet pesimiste për prodhimin aktual dhe për kontratat porositëse. Pritjet e bizneseve për çmimet në këtë sektor janë në rënie, ndërkohë që ato për prodhimin dhe punësimin janë në rritje.

Treguesi i besimit në ndërtim ra me 1.9 pikë përqindjeje, i përcaktuar nga vlerësimet më pak optimiste për aktivitetin aktual ndërtues, ashtu edhe për nivelin e porosive aktuale. Pritjet për punësimin janë në rritje dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rënie.

Treguesi i besimit në shërbime ra me 1 pikë përqindje, pasi të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit dhe kërkesa aktuale, regjistruan rënie të lehtë. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen janë në rënie.

Treguesi i besimit në tregti u tkurr me 2.2 pikë përqindje, i ndikuar kryesisht nga vlerësimet për ecuri aktuale më të dobët të biznesit. Në të kundërt, bizneset e aktivitetit të tregtisë presin një rritje të porosive dhe të ecurisë së biznesit në të ardhmen e afërt. Pritjet për çmimet në të ardhmen janë vlerësuar në rënie.

Ndërkaq, i vetmi treguesi me optimizëm është ai i besimit konsumator, që u rrit me 2.8 pikë përqindjeje në muajin tetor. Treguesi u përcaktua nga pritjet më optimiste për situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha aktuale dhe për të ardhmen. Por, pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve dhe për nivelin e papunësisë në të ardhmen janë rishikuar për poshtë.

Dorian Koça/SCAN

Live TV

Të fundit
Shqipëria 20 Tetor Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan nuk ka pësuar luhatje të ndjeshme gjatë fundjavës duke e nisur këtë javë në qëndrueshmëri teksa është blerë këtë mëngjes me 82.5 lekë dhe......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 20 Tetor Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan nuk ka pësuar luhatje të ndjeshme gjatë fundjavës duke e nisur këtë javë në qëndrueshmëri teksa është blerë këtë mëngjes me 82.5 lekë dhe......