Shqipëria Postuar më 1 Qershor 2022, 14:39

Bizneset që përjashtohen nga pagesa e akcizës - Pullat fiskale që shkatërrohen në ambalzhim, konsiderohen si humbje

Nga SCAN TV

Qeveria ka vendosur të bëjë përjashtime nga përllogaritja e detyrimit të pagesës së akcizës dhe vendosja e penaliteteve kundrejt bizneseve, në rastet kur pullat fiskale shkatërrohen plotësisht gjatë procesit të vendosjes nga makineritë e prodhimit ose ambalazhimit të produkteve të akcizës.

Vendimi i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe tashmë ka marrë fuqi ligjore, thekson së në këtë rast, këto pulla fiskale  konsiderohen si humbje të pranuara, nëse konfirmohen me deklaratë vjetore të lëshuar nga fabrikat prodhuese ose ambalazhuese, por, në çdo rast, jo më shumë se niveli mesatar vjetor që nuk kalon 0,5% për artikujt e kapitullit 24 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave dhe deri në 1% për rastet e tjera, të totalit të pullave të përdorura nga operatori gjatë vitit.

Vendimi citon se  pullat e akcizës të shkatërruara plotësisht nga makineritë do të llogariten duke marrë në konsideratë gjendjen e pullave në fillim të vitit plus furnizimet gjatë vitit minus totalin e pullave të vendosura në produktet e akcizës, pullave të kthyera gjatë vitit për t’u asgjësuar me prezencën e organeve doganore dhe gjendjen në fund të vitit.

Deklarata faktike për humbjet e pranuara të pullave, që shkatërrohen plotësisht nga makineritë dhe nuk mund t’i kthehen fizikisht organeve doganore, hartohet nga prodhuesit e mallrave që bëjnë vendosjen e pullave dhe depozitohet në  Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave brenda datës 31 mars të çdo viti, për vitin e mëparshëm kalendarik. Ndërsa, për periudhat e mëparshme përpara hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve, operatorët kanë afat deri më 31 korrik 2022, për dorëzimin e deklaratave faktike për humbjet e pranuara.

Elisabeta Dosku / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat