Europa Postuar më 21 Dhjetor 2023, 11:01

BE, rregulla të reja për tregtimin e mjaltit - Një listë me udhëzime për të dalluar mjaltin e falsifikuar

Nga SCAN TV
BE, rregulla të reja për tregtimin e mjaltit - Një listë me

Parlamenti Europian miratoi Direktivën e Mjaltit, që synon të parandalojë shitjen e mjaltit me sheqer të shtuar në tregun e BE-së. Direktiva u miratua pasi u konstatua se në tregun europian, blerësi ka 50% shanse të mashtrohet dhe të blejë mjaltë të falsifikuar.

Sistemi i mëparshëm i deklarimit, pra etiketa “përzierje mjalti BE/Jo BE”, është abuzuar prej vitesh me qëllim importimin dhe shitjen e produkteve në tregun e BE-së. Sipas Direktivës së re të Mjaltit, etiketat e reja në paketimet e mjaltit do të kenë një listë të të gjitha vendeve nga të cilat mjalti ka ardhur në territorin e BE-së.

Parlamentarët europianë vendosën të përdorin një direktivë të re për mjaltin dhe rregullore më të rrepta pasi u zbulua se nga 123 kompani të huaja që importonin mjaltë në tregun e BE-së, rreth 70 prej tyre shisnin mjaltë me shurup sheqeri. Shumica e këtyre kompanive, ishin nga Kina, dhe pjesa tjetër nga Ukraina, Argjentina, Brazili, Meksika dhe Turqia.

Europa nuk prodhon mjaltë të mjaftueshëm për të kënaqur tregun e saj dhe importon rreth 40% nga vendet e treta. Analiza e fundit tregoi se 46% e 320 mostrave të mjaltit të importuar, të marra rastësisht midis nëntorit 2021 dhe shkurtit 2022 dhe të analizuara ishin ‘ndoshta të falsifikuara’. Sipas rregullave të BE-së, mjalti që tashmë përmban sheqerna në mënyrë natyrale duhet të mbetet “i pastër”, që do të thotë se nuk mund t’i shtohet asnjë përbërës. Pas miratimit të kësaj direktive, do të sigurohet një mbikëqyrje më e rreptë inspektuese, dhe inspektimet duhet të pajisen në mënyrë që të zbulojnë ‘mjaltin’ e ultrafiltruar, i cili praktikisht nuk ka polen.

Bletërritësit sqarojnë se ky zbulim nuk është aspak i lehtë, pasi vitet e fundit, falë makinerive moderne të homogjenizimit, në treg janë shfaqur “kopje” që ngjajnë shumë me produktin e vërtetë të bletës. Blini mjaltë të kristalizuar, në periudhën më të ftohtë mjalti ngurtësohet, domethënë kristalizohet. Është kjo këshilla e shumicës së bletarëve se si të siguroheni që mjalti që blini të jetë i vërtetë.

Mjalti përbëhet nga sheqerna të ndryshme, kryesisht fruktozë dhe glukozë dhe substanca të tjera si acide organike, enzima dhe grimca të ngurta që futen në mjaltë gjatë formimit të tij. Mjalti mund të jetë i lëngshëm ose viskoz, pjesërisht ose plotësisht i kristalizuar, dhe ngjyra e mjaltit mund të ndryshojë nga e verdhë e lehtë në kafe të errët. Era dhe shija e mjaltit ndryshojnë në varësi të llojit të bimës nga vjen.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 21 Dhjetor

Forcohen sërish valutat kryesore!

Dollari amerikan është blerë sot me 94 lekë dhe është shitur me 95 lekë duke regjistruar rritje nga dita e djeshme sipas kursit të këmbimit lokal. Monedha......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat