AMF, konferencë ndërkombëtare për financat e gjelbra. Drejtori i AMF: Sektori financiar, rol kyç në financimet pro mjedisit

Kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete deklaron se ka ardhur momenti që të ndërgjegjësohemi dhe të mendojmë se si mund t’i bëjmë faktorët mjedisorë që lidhen me qëndrueshmërinë, pjesë integrale të politikave tona financiare.
Në konferencën ndërkombëtare për financat e gjelbra, drejtori i AMF tha se sektori financiare ka rol kyç në financimet pro mjedisit. Sipas Metes, financimet e gjelbra janë trend evropian dhe botëror dhe se obligacionet e gjelbra janë alternativë e mirë investimi.
Fjalimi i plotë i mbajtur në konferencë nga Ervin METE, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
Duke ju falenderuar për pjesëmarrjen, ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë, e dyta e këtij formati, që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizon në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Zviceran për Çështjet Ekonomike, të cilët i falenderoj për mbështetjen e vazhdueshme.
Le ta konsiderojmë këtë event, si një forum për dialog të përbashkët, me synim promovimin e rolit të sektorit financiar për një ekonomi të qëndrueshme dhe identifikimin e kushteve bazë për krijimin e një ekosistemi që nxit financa të gjelbra, sikurse mund të jetë një kuadër i përshtatshëm rregullator, një infrastrukturë e përshtatshme tregu, apo kërkesa për raportim dhe transparencë. Ky event synon rritjen e ndërgjegjësimit për efektet financiare dhe ekonomike të ndryshimeve klimatike dhe risqeve që lidhen me faktorët mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes korporative, të ashtuquajturit faktorë ESG, si dhe shpresoj që të japë një impakt pozitiv në ndryshimin e sjelljes financiare të investitorëve shqiptarë për të konsideruar faktorët mjedisorë gjatë krijimit të portofolit të tyre të investimeve. Mobilizimi i flukseve financiare dhe i investimeve në projekte të gjelbra është me rëndësi për një të ardhme të qëndrueshme.
Një falenderim i veçantë edhe për të gjithë të ftuarit në panel, me rol kyç në këtë diskutim sa të domosdoshëm aq edhe sfidues, që do të ndajnë me ne eksperiencën lidhur me iniciativat e ndërmarra për financimin e gjelbër, një tematikë kjo që po merr vëmendje të shtuar dhe prioritet në nivel global, siç është edhe konferenca e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike (COP27), që po zhvillohet gjatë këtyre ditëve.
Përmes angazhimit të ndërmarrë në marrëveshjen e Parisit, nënshkruar edhe nga Shqipëria në vitin 2016 apo axhendës 2030 të Kombeve të Bashkuara për një zhvillim të qëndrueshëm, të gjitha shtetet po ndërmarrin iniciativa për të financuar kalimin drejt një ekonomie të gjelbër dhe rrjedhimisht të qëndrueshme. Ndryshimet klimatike janë një problem global, një sfidë e përbashkët, me ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin financiar.
Komisioni Evropian, në dhjetor të vitit 2019 prezantoi iniciativën, e njohur si European Green Deal, një strategji që nxit investimet publike dhe private në projekte të qëndrueshme dhe që synon ta bëjë Europën kontinentin e parë neutral ndaj klimës dhe me emetim zero deri në vitin 2050. Sipas planit të investimeve të Bashkimit Evoprian, parashikohet mobilizimi i rreth 1 trilion Eurove gjatë dekadës së ardhshme, ku gjithashtu 1/3 e fondit të parashikuar për rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19 do të shërbejë për financimin e kësaj nisme. Diskutimet aktuale në BE mbi financat e qëndrueshme kanë shtuar detyra të reja për mbikëqyrësit e bankave, sigurimeve, fondeve të investimit, fondeve të pensionit, apo aktorëve të tjerë të sektorit financiar.
Në këto rrethana ka ardhur momenti që të ndërgjegjësohemi dhe të mendojmë se si mund t’i bëjmë faktorët mjedisorë që lidhen me qëndrueshmërinë, pjesë integrale të politikave tona financiare.
Dëshiroj të përgëzoj iniciativat e disa prej aktorëve të sektorit financiar shqiptar në përfshirjen e faktorëve mjedisorë në ushtrimin e veprimtarisë së tyre, por besoj se ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim. Sektori financiar ka një rol kyç në arritjen e këtyre objektivave, pasi ai shërben për të riorientuar investimet drejt teknologjive dhe bizneseve të gjelbra, si edhe për të financuar rritjen në një mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Riorientimi i kapitalit privat drejt investimeve të gjelbra kërkon një ndryshim të mendësisë në mënyrën se si funksionon sistemi financiar.
Por, suksesi i këtij objektivi varet shumë nga përfshirja dhe angazhimi i të gjithë aktorëve së bashku, sektorit publik, atij privat, ne si rregullatorë dhe mbikëqyrës dhe të gjithë palët e interesit.
Rritja e kërkesave për transparencë dhe informacion lidhur me faktorët ESG dhe menaxhimin e rrezikut të këtyre faktorëve përbën domosdoshmëri, në mënyrë që investitori të marrë vendime të mirëinformuara lidhur me produktet financiare. Bashkimi Evropian ka ndërmarrë ndryshime në kuadrin e vet rregullator për të përfshirë në legjislacion aspektet dhe faktorët që ndikojnë në qëndrueshmëri. Kështu së fundmi direktiva MIFID II, mbi bazën e së cilës është hartuar edhe ligji ynë mbi tregjet e kapitalit, ka pësuar ndryshime duke përfshirë elementët ESG. Këto ndryshime parashikojnë kërkesa të reja për bankat që ofrojnë shërbime investimi dhe për shoqëritë komisionere që gjatë vlerësimit të përshtatshmërisë së klientit për një produkt apo shërbim financiar të marrin në konsideratë edhe faktorët ESG, duke marrë informacion nga klienti edhe për preferencat e tij lidhur me këta faktorë. Shoqëritë komisionere duhet të kenë të gjitha mekanizmat e duhur që sigurojnë se produktet dhe shërbimet që ato synojnë të ofrojnë apo rekomandojnë janë në përputhje me nevojat e klientit, profilin e tij të rrezikut apo objektivat e tij, përfshirë edhe objektivat që lidhen me qëndrueshmërinë. Në kuadër të negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe më specifikisht, të Kapitullit 9 “Shërbimet Financiare” që udhëhiqet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, është marrë angazhimi për përputhje me direktivat europiane, përfshirë edhe amendimet e këtyre direktivave.
Në nivel të Bashkimit Evropian, Rregulloret e taksonomisë, transparencës dhe benchmark-ut kanë krijuar kuadrin ligjor që nxit investime të qëndrueshme. Kështu rregullorja e taksonomisë krijon kushtet për një sistem të unifikuar klasifikimi, rregullorja e transparencës parashikon detyrimin e investitorëvë institucionalë dhe menaxherëve të aseteve për të bërë publike informacionin mbi integrimin e faktorëve ESG në aktivitetin e tyre, përfshirë analizën e riskut të këtyre faktorëve. Ndërsa rregullorja e Benchmark vendos kërkesa, të cilat duhet të plotësohen nga ofruesit gjatë krijimit të një standardi klimatik, me qëllim sigurimin e integritetit dhe besueshmërisë, si një element i nevojshëm që i shërben krahasimit të performancës së portofolit të investitorit.
Si pjesë e planit të veprimit të saj për financa të qëndrueshme, aktualisht në qendër të diskutimeve të BE-së, është edhe krijimi i një standardi për obligacionet e gjelbra (EU Green Bond Standard). Një standard i unifikuar për obligacione të gjelbra, inkurajon pjesëmarrësit e tregut të emetojnë dhe investojnë në bonde të gjelbra dhe nxit efektivitetin dhe besueshmërinë në tregjet financiare.
Për gjithë sa më sipër, rregullatorët dhe mbikëqyrësit kanë rol thelbësor lidhur me krijimin e kushteve që nxisin investime të gjelbra, rritjen e kërkesave për transparencë dhe promovimin e nevojës për orientim të kapitalit drejt investimeve të qëndrueshme.
Shqipëria vlerësohet si vend me risk të lartë sa i përket katastrofave natyrore. Indeksi “Risk Inform” i Komisionit Evropian e vlerëson nivelin e përgjithshëm të rrezikut të Shqipërisë mbi mesataren e Bashkimit Evropian. Sektori financiar është direkt i ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve. Por në anën tjetër, ky sektor mund të përshpjetojë kalimin drejt një ekonomie të gjelbër, duke u bërë financuesi kryesor i investimeve pro mjedisit, si edhe duke ofruar zgjidhje të transferimit të rrezikut.
Financat e gjelbra janë një tematikë e re për tregun tonë financiar dhe kjo bën edhe më shumë të nevojshme bashkëpunimin dhe koordinimin mes të gjithë aktorëve të përfshirë, si në drejtim të të kuptuarit, ashtu edhe sa i përket avancimit drejt financimeve të gjelbra dhe të qëndrueshme.
Uroj që diskutimet në këtë konferencë dhe në panelet e saj të shërbejnë në këtë drejtim.
Sondazh

Vonesat e gjykatave, “hemorragji” për biznesin - Kasmi: Zbardhja e vendimeve, jashtë afateve. Cënohet siguria juridike e sipërmarrjeve
Bizneset dhe qytetarët vuajnë neglizhencën e gjykatave në zbardhjen e vendimeve, të cilat në të shumtën e rasteve bëhen jashtë afateve ligjore. E ndërsa......

Mallrat e akcizës “thajnë” doganat -Të ardhurat totale në tetor regjistrojnë rënie me 2 mld lekë. Si 10-mujor arrijnë 183,3 mld
Muaji tetor duket se ka krijuar një ngërç në administratën doganore. Të dhënat më të fundit zyrtare tregojnë për një rënie të të ardhurave me pothuajse 2......

Drejtoria e Gjelbërimit pranon ‘dështimin’ me “Pyllin Orbital”! Projektit strategjik s’i funksionon strategjia. Kryeqyteti s’ka hapësira për mbjellje
Projekti strategjik i kryeqytetit, “Pylli Orbital”, rezulton të jetë një projekt i dështuar. Projektit të shpallur si strategjik, duket se i ka munguar......

Yellen: India mund të blejë naftë ruse sa të dojë, por nuk mund të përdorë sigurimet, financat dhe shërbimet detare perëndimore!
India mund të blejë naftë nga Rusia sa të dojë edhe me çmime mbi kufirin e çmimit të vendosur nga G7, por zbatohen kushte të rrepta, i tha Reuters Sekretarja e......

Kina ngadalëson blerjet e naftës ruse me afrimin e sanksioneve europiane
Rafineritë kinezë po ngadalësojnë blerjet e naftës së papërpunuar ruse në dhjetor dhe po paguajnë prime më të ulëta përballë sanksioneve të afërta të Bashkimit......

BQE paralajmëron: Rreziqet e stabilitetit financiar të zonës së euros janë në rritje, ekonomia drejt recesionit!
Rreziqet për stabilitetin financiar të eurozonës janë në rritje ndërsa ekonomia po shkon drejt një recesioni të mundshëm, tha të mërkurën Banka Qendrore......

Gratë më të fuqishme në politikë nga e gjithë bota – Ja sfidat dhe pengesat e rëndësishme që janë përballur
OKB-ja raporton se një numër rekord tani janë gra kryetare shtetesh ose qeverish në mbarë botën. Disa kanë pasur një udhëtim të jashtëzakonshëm dhe janë......

Jeff Bezos paralajmëron SHBA-në: Recesioni po afrohet dhe amerikanët duhet të 'përgatiten për më të keqen'!
Jeff Bezos ka paralajmëruar një recesion në SHBA dhe këshilloi konsumatorët dhe bizneset të grumbullojnë para në rast se ka një rënie shkatërruese. "Ekonomia......