Shqipëria Postuar më 13 Janar 2023, 12:19

Aksidentet nga makinat e pasiguruara dhe të paidentifikuara, shlyhen 87% e dëmeve - Byroja e Sigurimeve del nga statusi “nën” monitorim pas 9 vitesh, u paguan nga fondi i kompensimit

Nga SCAN TV
Aksidentet nga makinat e pasiguruara dhe të paidentifikuara, shlyhen 87% e

Ligji i ri duket se ka gjetur zgjidhjen për aksidentet e shkaktuara nga makinat e pasiguruara, një plagë që shqetëson prej vitesh tregun shqiptar të sigurimeve, shkak për të cilin edhe Byroja Shqiptare e Sigurimeve gjendej me statusin nën monitorim prej rregullatorëve evropianë. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka njoftuar se ligji i ri, që po zbatohet prej një viti e gjysmë, ka dhënë impakt direkt në  një përmirësim të ndjeshëm të situatës me Fondin e Kompensimit dhe Kartonin Jeshil.

Për dëmet e ndodhura pas datës 1 korrik 2021, objekt i Fondit të Kompensimit, aktualisht asnjë prej tyre nuk ka shkuar në gjykatë. Gjithashtu, një pjesë e konsiderueshme e këtyre dëmeve (87%) janë paguar përmes praktikës së siguruesit të drejtpërdrejtë, si një nga risitë e ligjit, ku i dëmtuari në një aksident të shkaktuar nga një mjet i pasiguruar ose i paidentifikuar e ka kërkuar dëmshpërblimin te shoqëria e tij e sigurimit (një format i ngjashëm me sigurimin Kasko).

Byroja Shqiptare e Sigurimit trajton rastet e aksidenteve të Kartonit Jeshil, si edhe të Fondit të Kompensimit. Në të kaluarën, ka patur problematika në të dy këta komponentë, për shkak të mospagesës së dëmeve brenda afateve, si edhe numrit të konsiderueshëm të pazgjidhur të kërkesave për dëmshpërblim. Akumulimi i këtyre rasteve ndër vite dhe problematikat e mbartura sollën edhe vendosjen e Byrosë Shqiptare të Sigurimit në statusin e monitorimit nga ana e Këshillit të Byrove, në tetor të vitit 2013. Përmirësimi i ndjeshëm i situatës së dëmeve te Byroja, falë ndryshimeve të fundit ligjore dhe monitorimit të shtuar nga ana e Autoritetit, sollën edhe daljen e Byrosë Shqiptare të Sigurimit nga monotirimi i Këshillit të Byrove në dhjetor të vitit të kaluar.

Po ccfarë solli përmirësimit e situatës shumë problematike, e cila penalizonte jo vetëm drejtuesit e mjeteve të dëmtuar nga makina të pasigururara apo të paidentifikuara. Së pari, krijimi i një fondi garancie për kartonin jeshil, ku çdo anëtar i Byrosë, i autorizuar për të lëshuar karton jeshil, duhet të depozitojë një garanci bankare pranë një banke të nivelit të dytë në Shqipëri, në favor të Byrosë, në shumën që përcaktohet nga asambleja e anëtarëve, por jo më të vogël se 250,000 euro. Gjithashtu, sa i përket Fondit të Kompensimit, ligji parashikon krijimin e një fondi garancie, që nuk mund të jetë më i vogël se 150 milionë lekë.

Më tej, përveç fondit të garancisë, në rastin e Fondit të Kompensimit, Autoriteti i kërkon dhe monitoron anëtarët e Byrosë Shqiptare të Sigurimit në lidhje me mbajtjen e provigjoneve (rezervave) për të gjithë vlerën e dëmeve pezull objekt i Fondit të Kompensimit.

Një tjetër faktor është riorganizimi strukturor i Byrosë Shqiptare të Sigurimit, në dy departamente të pavarura: Departamenti i Kartonit Jeshil dhe Departamenti i Fondit të Kompensimit.

Dhe në fund, Trajtimi i rasteve të Fondit të Kompensimit përmes siguruesit të drejtpërdrejtë, ku palës së dëmtuar nga një aksident i shkaktuar nga një mjet i pasiguruar ose i paidentifikuar i lind e drejta ta kërkojë dëmshpërblimin te shoqëria e vet e sigurimit. Sipas shifrave të raportuara, që nga hyrja në fuqi e ligjit, në 1 korrik 2021, e deri në fund të vitit 2022, rreth 87% e rasteve Fond Kompensimi, janë trajtuar përmes siguruesit të drejtpërdrejtë.

Lorenc Rabeta / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat