Bota Postuar më 23 Tetor 2023, 12:07

250 miliardë USD/vit nga taksa globale e miliarderëve - Studimi/Qeveritë duhet të luftojnë evazion fiskal në shkallë ndërkombëtare

Nga SCAN TV
250 miliardë USD/vit nga taksa globale e miliarderëve -

Qeveritë duhet të hapin një front të ri në luftën ndërkombëtare ndaj evazionit fiskal me një taksë minimale globale për miliarderët, e cila mund të mbledhë 250 miliardë dollarë në vit, sipas një studimi të Observatorit Tatimor të BE-së.

Nëse mblidhet, shuma do të ishte ekuivalente me vetëm 2 % të pasurisë prej afro 13 trilionë dollarësh që zotërohet nga 2700 miliarderët globalisht, shton grupi kërkimor i Shkollës Ekonomike të Parisit.

Aktualisht, taksa personale efektive e miliarderëve është shpesh shumë më e vogël se ajo që paguajnë tatimpaguesit e tjerë me të ardhura më modeste, sepse ata mund të ‘strehojnë’ pasurinë në kompani guackë që i mbrojnë nga tatimi mbi të ardhurat, thuhet më tej në raportin global të Evazionit Tatimor 2024.

Drejtori i Observatorit, Gabriel Zucman, u shpreh se kjo është e vështirë të justifikohet sepse rrezikon të minojë qëndrueshmërinë e sistemeve tatimore dhe pranueshmërinë sociale të taksave. Taksa personale e miliarderëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësohet të jetë afërsisht 0.5 % dhe deri në zero në Francë.

Rritja e pabarazisë së pasurisë në disa vende po nxit thirrjet që qytetarët më të pasur të mbajnë më shumë barrën tatimore, ndërsa financat publike luftojnë për të përballuar plakjen e popullsisë, nevojat e mëdha financiare për tranzicionin klimatik dhe borxhin e trashëguar të COVID-19.

Buxheti i Presidentit të SHBA-së Joe Biden për vitin 2024 përfshinte plane për një taksë minimale prej 25 % për më të pasurit, por ky propozim që atëherë ka rënë në ‘vesh të shurdhër’ me ligjvënësit në Uashington të shqetësuar nga kërcënimet për mbylljen e qeverisë dhe afatet pranë skadencës të financimit.

Megjithëse një shtytje e koordinuar ndërkombëtare për taksimin e miliarderëve mund të zgjasë me vite, Observatori vuri në dukje shembullin e suksesit të qeverive në lëvizjet e tyre, përveç cënimit të sekretit bankar dhe reduktimit të mundësive për shumëkombëshet për të zhvendosur fitimet në vendet me taksa të ulëta.

Nisja në 2018 e ndarjes automatike të informacionit të llogarive ka reduktuar sasinë e pasurisë së ruajtur në parajsat tatimore, vlerësoi observatori.

Një marrëveshje e vitit 2021 midis 140 vendeve do të kufizojë qëllimin e shumëkombësheve për të ulur taksat duke rezervuar fitime në vendet me taksa të ulëta, duke vendosur një kufi global prej 15 % për taksimin e korporatave nga viti i ardhshëm.

Megjithëse heqja e sekretit bankar dhe taksa minimale e korporatave i kanë dhënë fund konkurrencës prej dekadash midis vendeve për normat e taksave, mbeten mundësi të shumta për të ulur faturat tatimore, thuhet në raport.

Të pasurit gjithnjë e më shumë strehojnë të ardhurat e tyre në pasuri të paluajtshme në vend të llogarive në parajsa fiskale, ndërkohë që kompanitë mund të shfrytëzojnë boshllëqet në minimumin e taksës së korporatës prej 15 %.

Ndërkohë, qeveritë po konkurrojnë gjithnjë e më shumë për investime përmes subvencioneve edhe pse kjo është më pak e dëmshme për bazat e tyre tatimore sesa konkurrimi vetëm me norma të ulëta tatimore.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat