Si të bëheni të pasur në shekullin e 21-të. Garë e ashpër për t'u bërë superfuqia e ardhshme ekonomike

Deri në vitin 2050 do të ketë një hartë të re të fuqive ekonomike, gjithmonë nëse gjërat shkojnë sipas planit. Narendra Modi, kryeministri i Indisë, dëshiron që Prodhimi i Brendshëm Bruto për person në vend të kapërcejë pragun e sipërm të të ardhurave të Bankës Botërore tre vjet përpara këtij afati. Udhëheqësit e Indonezisë mendojnë se kanë kohë deri në mes të shekullit, për të kapur vendet e pasura. Mesi i shekullit është gjithashtu afati final për shumë prej reformave të quajtura “Vizioni 2030” të Muhamed bin Salman. Princi i kurorës i Arabisë Saudite dëshiron ta transformojë vendin e tij nga një prodhues nafte në një ekonomi të diversifikuar. Vende të tjera më të vogla, duke përfshirë Kilin, Etiopinë dhe Malajzinë, kanë skemat e tyre.
Rrugët janë të ndryshme, por të gjithë kanë diçka të përbashkët: ambicie që të lënë pa frymë. Zyrtarët në Indi mendojnë se nevojitet një rritje e PBB-së prej 8% në vit në mënyrë që të përmbushet objektivi i kryeministrit Modi, ose 1.5 pikë përqindje më shumë se sa India është rritur mesatarisht, gjatë tre dekadave të fundit. Indonezia do të ketë nevojë për rritje prej 7% në vit, nga një mesatare prej 4.6% në të njëjtën periudhë. Ndërsa ekonomia ardhshme e Arabisë Saudite, e cila nuk do të varet më nga nafta, do të duhet të rritet me 9% në vit, nga një mesatare prej 2.8% në 3 dekadat e fundit. Edhe pse viti 2023 ishte një vit i mirë për të treja këto vende, asnjë prej tyre nuk përjetoi rritje me këtë lloj ritmi. Shumë pak vende kanë ruajtur një rritje të tillë për pesë vjet, e jo më për 30 vjet.
Nuk ka ndonjë recetë specifike për një rritje kaq domethënëse, por për të rritur prosperitetin, ekonomistët zakonisht përshkruajnë reforma liberale të llojit që janë mbështetur nga FMN dhe Banka Botërore që nga vitet 1980, nën etiketën e “konsensusit të Uashingtonit”. Ndër politikat e adoptuara gjerësisht janë politika fiskale të matura dhe kursi i qëndrueshëm i këmbimit. Sot teknokratët kërkojnë rregulla më të lira të konkurrencës dhe privatizimin e firmave shtetërore.
Megjithatë, këto propozime në fund të fundit kanë të bëjnë me heqjen e barrierave që pengojnë rritjen, dhe jo ta mbështesin atë. Ëilliam Easterly i Universitetit të Nju Jorkut ka llogaritur se, edhe midis 52 vendeve që kishin politika më të qëndrueshme sipas “konsensusit të Uashingtonit”, rritja e PBB-së ishte mesatarisht vetëm 2% në vit nga 1980 deri në 1998. Por, Modi dhe Princi Muhamed nuk janë të gatshëm të presin, duan të zhvillohen shpejt. Qëllimi është të arrihet një lloj rritjeje meteorike që njohën vendet e Azisë Lindore në vitet 1970 dhe 1980. Me përhapjen e globalizimit, këto vende shfrytëzuan maksimalisht fuqinë punëtore në masë dhe të lirë, duke fituar një avantazh në tregjet e makinave (Japonia), të elektronikës (Koreja e Jugut) dhe farmaceutikës (Singapori).
Industritë u ndërtuan pas mureve proteksioniste të kufijve të tyre, që kufizuan importet, por më pas lulëzuan kur u inkurajua tregtia me pjesën tjetër të botës. Kompanitë e huaja më vonë sollën njohuritë dhe kapitalin e nevojshëm për të prodhuar mallra më komplekse dhe fitimprurëse, duke rritur produktivitetin. Nuk është çudi, pra, që udhëheqësit në të gjithë botën në zhvillim mbeten entuziastë për prodhimin. Në vitin 2015, Modi njoftoi planet për të rritur pjesën e industrisë ndaj PBB-së në Indi në 25%, nga 16% që ishte në atë kohë. “Shisni kudo, por prodhojini në Indi”, u kërkoi Modi udhëheqësve të biznesit. Kamboxhia shpreson të dyfishojë eksportet e fabrikave të saj, duke përjashtuar veshjet, deri në vitin 2025. Kenia dëshiron të shohë sektorin e saj të prodhimit të rritet me 15% në vit.
Megjithatë, ka një pengesë. Industrializimi është edhe më i vështirë për t'u nxitur sesa ishte 40 ose 50 vjet më parë. Si rezultat i përparimeve teknologjike, nevojiten më pak punëtorë se kurrë më parë për të prodhuar, le të themi, një palë çorape. Në Indi u kërkuan pesë herë më pak punëtorë për të operuar një fabrikë në vitin 2007 sesa në vitin 1980. Në mbarë botën, industria tani funksionon me aftësi dhe kapital, të cilat vendet e pasura i kanë me bollëk, dhe më pak me fuqi punëtore, që do të thotë se një fuqi punëtore në masë dhe e lirë nuk ofron shumë drejt zhvillimit ekonomik. Për këtë arsye, Modi dhe të tjerë kanë një plan të ri loje: ata duan të shkojnë përpara drejt prodhimit me cikël të mbyllur. Pse të shqetësoheni të qepni një palë çorape, kur mund të prodhoni gjysmëpërçuesit?
“Ky fiksim i jashtëzakonshëm për t'i bërë gjërat me teknologji”, siç thotë një ish-këshilltar i qeverisë indiane, ndonjëherë çon në proteksionizëm të modës së vjetër. Kompanitë indiane mund të jenë të mirëpritura të shesin kudo, por zoti Modi dëshiron që indianët të blejnë produkte indiane. Ai ka shpallur ndalimin e importeve për çdo gjë, nga laptopët e deri tek armët.
Në disa vende, ka pasur sukses të hershëm. Sektori i prodhimit në Kamboxhia prodhoi tre pikë përqindje më shumë në PBB-në e vendit vitin e kaluar, sesa pesë vjet më parë. Firmat që kërkojnë të diversifikohen nga Kina janë joshur nga kostot e ulëta, subvencionet për prodhimin e teknologjisë së lartë dhe investimet shtetërore. Megjithatë, gjetkë gjërat po rezultojnë më të vështira. Në Indi, sektori i manifakturës ka qënë i qëndrueshëm në raport me PBB-në. Por, emra të mëdhenj si Apple dhe Tesla kanë vendosur markat e tyre në një ose dy fabrika, por kanë shfaqur një dëshirë të ulët për të bërë investimet që dikur bënin në Kinë, e cila ofron infrastrukturë superiore dhe një fuqi punëtore më të arsimuar.
Rreziku është se, në përpjekje për të tërhequr manifakturën e teknologjisë së lartë, vendet përfundojnë duke përsëritur fatkeqësitë e së kaluarës. Nga viti 1960 deri në vitin 1991 pjesa e prodhimit në PBB-së në Indi u dyfishua. Por kur barrierat mbrojtëse u hoqën në vitet 1990, asgjë nuk ishte aq e lirë sa të eksportohej në pjesën tjetër të botës. Rreziku është veçanërisht i madh këtë herë, pasi zoti Modi e sheh prodhimin si sinonim të aftësisë së Indisë për të prodhuar gjithçka që i nevojitet, veçanërisht teknologjinë për armët. Së bashku me Indonezinë dhe Turqinë, India është mes atyre vendeve që e shohin pasurimin si rrugë drejt një pozicioni më të fortë gjeopolitik, por duke rritur mundësinë e investimeve të orientuara keq.
Këto të meta si në prodhimtarinë bazë ashtu edhe në përpjekjet për të ecur përpara, po ndihmojnë të bindin disa vende të provojnë një qasje tjetër: tërheqjen e industrive që përdorin burimet e tyre natyrore, veçanërisht metalet dhe mineralet që fuqizojnë tranzicionin e gjelbër. Qeveritë në Amerikën Latine janë të prirura ta bëjnë këtë. Po kështu edhe Republika Demokratike e Kongos dhe Zimbabve. Por është Indonezia ajo që po udhëheq rrugën, dhe e bën këtë me ashpërsi të madhe. Që nga viti 2020, vendi ka ndaluar eksportet e boksitit dhe nikelit, nga të cilat prodhon 7% dhe 22% të furnizimit global. Zyrtarët shpresojnë se duke i mbajtur nën kontroll, mund t’i detyrojnë rafineritë të zhvendosen në vendin e tyre. Më pas ata duan të përsërisin këtë model edhe në faza apo sektorë të tjerë, derisa punëtorët indonezianë të bëjnë gjithçka, nga përbërësit e baterive e deri te turbinat e erës. Zyrtarët po ofrojnë gjithashtu subvencione, si në formën e parave “cash”, ashtu edhe në formën e lehtësive. Indonezia është në mes të një bumi infrastrukturor: shpenzimet midis 2020 dhe 2024 duhet të arrijnë në 400 miliardë dollarë, mbi 50% më shumë në vit sesa në vitin 2014.
Kjo përfshin financimin e të paktën 27 parqeve industriale miliarda dollarëshe, sidomos Parku Kalimantan, i ndërtuar në një sipërfaqe prej 13,000 hektarë në ish-pyllin tropikal Bornean, me një kosto prej 129 miliardë dollarësh. Gjithashtu, edhe vende të tjera po ofrojnë incentiva. Firmat që duan të instalojnë panele diellore në Brazil do të marrin subvencione. Bolivia shtetëzoi industrinë e saj të litiumit, por konglomeratet e reja shtetërore do të lejohen të hyjnë në sipërmarrje të përbashkëta me kompanitë kineze.
Lëndët djegëse fosile i kanë bërë disa vende të Gjirit Persik, pasi pothuajse çdo industri në botë konsumon vazhdimisht naftë. Nuk ka asnjë garanci që pasuria e metaleve të gjelbra do të jetë kaq e madhe, pasi bateritë për shembull ndërrohen një herë në disa vjet. Zyrtarët në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë mendojnë se përfitimet nga mallrat e gjelbra do të arrijnë kulmin në vitet e ardhshme, dhe më pas do të ulen.
Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) ishin ndër vendet e para në rajon që u diversifikuan. Ky vend është fokusuar në industri, si transporti dhe turizmi, si dhe në industritë e teknologjisë së lartë, si inteligjenca artificiale (AI) dhe kimikatet. Abu Dhabi është tashmë shtëpia e Universitetit të Luvrit dhe të Nju Jorkut, dhe ka plane për të fituar para nga udhëtimet në hapësirë për turistët. Katari po ndërton Education City, një kampus që do të kushtojë 6.5 miliardë dollarë dhe do të shtrihet në 1500 hektarë, duke punuar si një park industrial për universitetet.
Arabia Saudite shpreson të shohë rritje të flukseve të investimeve të huaja në 5.7% të PBB-së në vitin 2030, nga 0.7% në 2022, dhe po shpenzon shuma përrallore parash në ndjekje të kësaj ambicie. Fondi i Investimeve Publike ka disbursuar 1.3 trilion dollarë gjatë dekadës së fundit, një shifër më e madhe se shuma që parashikohet të akordohet nga Akti i Reduktimit të Inflacionit, që është politika industriale e Presidentit Joe Biden në Amerikë. Fondi po shpenzon gjithçka, nga ekipet e futbollit dhe fabrikat petrokimike deri te qytetet krejtësisht të reja. Politika industriale nuk është zhvilluar kurrë në një shkallë të tillë.
Megjithatë, mënyra se si po rriten vendet po ndryshon. Prodhimi ka qenë i vetmi lloj i punës ku vendet e varfra kanë përmirësuar produktivitetin e tyre me një ritëm më të shpejtë se vendet e pasura. Por, industria moderne mund të mos ofrojë të njëjtin përfitim. Në vend që të shpenzojnë kohë duke u përpjekur t'i bëjnë proceset e fabrikës më efikase, punëtorët në vendet që përpiqen të pasurohen duke nxjerrë metale të gjelbra, punojnë në një industri me produktivitet jashtëzakonisht të ulët, u shërbejnë turistëve, që është një sektor tjetër me produktivitet të ulët dhe montojnë pajisje elektronike, në vend që të merren me procese më komplekse. E gjithë kjo do të thotë se gara për t'u pasuruar në shekullin e 21-të do të jetë më rraskapitëse se ajo e shekullit të 20-të.
Lidion Kulla/SCAN
Sondazh

Analiza/ A mundet që hekurudhat të konkurrojnë linjat ajrore?
Rreth 1 javë pasi e kishte marrë detyrën për drejtimin e një prej aeroporteve më të mëdhenj të Europës, Ruud Sondag, kuptoi se ftesa ndaj protestuesve të......

Analiza në ‘Kathimerini‘-Pse qiratë e banesave po ‘shkojnë në qiell’?
Nga Manos Marsaganis* Vitet e fundit, qiratë e banesave janë rritur shumë më shpejt sesa pagat, duke i bërë disa lagje dhe veçanërisht në Athinën qendrore,......

Urbanizimi, të gjithë "dynden" drejt Tiranës dhe Durrësit. Sipas Bankës Botërore, rreth 64% e popullsisë përqëndrohet në zonat urbane
Sipas të dhënave të treguesve demografikë nga INSTAT për 10-vjeçarin e fundit, rezulton se në 10 qarqe të Shqipërisë numri i popullsisë banuese është ulur me......

Masa ndëshkuese për profesionet në ndërtim. Ngrihet komisioni disiplinor për kontrollin e punimeve
Një komision disiplinor do të ngrihet për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit. Ka hyrë në fuqi vendimi mbi mënyrën e funksionimit të komisionit......

Tkurret” kërkesa botërore për naftë. Pritet që edhe çmimet e “arit të zi” të ulen deri në fund të vitit
Kërkesa botërore për naftë këtë vit pritet të rritet më pak se parashikimi i mëparshëm dhe prodhimi duhet të zgjerohet më shpejt, duke rezultuar në një treg më......

Bizneset shqiptare, më pak vëmendje nga inovacioni. Lahe: Me investimet në teknologji ke mundësi të konkurrosh në tregje ndërkombëtare
“Në raportin e fundit Këshilli i Investimeve ka arritur në konkluzionin që bizneset shqiptare kanë më pak interes për të investuar në inovacion apo në......

Hyn në fuqi vendimi/ Kush përdor bombula duhet të paguajë sigurim. Bombulat nën 5 litra kategorizohen me risk të lartë
Kush përdor bombula gazi për aktivitetin e tij do të duhet të bëjë sigurimin e detyrueshëm. Vendimi i Këshillit të Ministrave ka marrë fuqi ligjore dhe......

Italia ndalon “agrovoltaikët” por vendimi shkakton reaksion. Operatorët: Të lejohen në tokat bujqësore ku nuk prodhohet më
Një dekret që ndalon instalimin e fotovoltaikëve për prodhim energjie në zona bujqësore ka shkaktuar jo pak reagime në Itali. Qeveria italiana ka miratuar mes......