Bota Postuar më 31 Korrik 2023, 10:48

Shtohen problemet ekonomike në Kinë – ‘Do duhej një mrekulli për të arritur rritjen e planifikuar’!

Nga SCAN TV
Shtohen problemet ekonomike në Kinë – ‘Do duhej një

Pandemia ka "mbaruar” edhe në Kinë, por ajo vijon të jetë shumë larg normës së planifikuar të rritjes ekonomike. Ndërsa rritja ekonomike në tremujorin e parë ishte 2.2%, në tremujorin e dytë ekonomia po çalon: zyrtarisht rritja është vetëm 0.8%, por ekonomistët e pyetur nga agjencia Reuters vlerësojnë se rritja ka qenë më e dobët, me vetëm 0.5%.

"Të dhënat tregojnë se rritja e shpejtë ekonomike e Kinës ka përfunduar pas pandemisë," thotë ekonomisti Carol Kong nga Commonwealth Bank of Australia. "Ajo që po shohim tani është një rritje e dobët dhe çaluese." Pa dyshim, nëse krahasoni rritjen ekonomike në 12 muajt e fundit është e lakmueshme, me 6.3%. Por detyra e partisë për ekonominë ishte që këtë vit të arrijë një rritje prej 5%, që do të jetë shumë vështirë të realizohet.

Edhe pse mund të pritet që vlerësimet zyrtare të rritjes ekonomike të zvogëlohen, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se Kina - jo për herë të parë - do të përdorë një lloj dopingu ekonomik. "Ne presim që në muajt në vijim të ketë lehtësim monetar. Pritet një mbështetje e synuar fiskale për fushat kryesore, ndër të tjera në tregun e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim”, vlerësojnë ekonomistët e Goldman Sachs. "Por as këto mbështetje shtesë nuk do të jenë ndonjë shkop magjik: viti 2023 do të jetë për Kinën një vit që do të preferonte ta harrojë."

Ekonomia kineze varet nga eksportet, ndër tjerash edhe në tregun gjerman, e ky vend ka po ashtu probleme të mëdha. Në qershor, eksportet kineze shënuan rënie rekorde që nga shpërthimi i pandemisë tre vjet më parë. Një problem tjetër shtesë është edhe tregu i pasurive të paluajtshme, i cili përbën një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto të Kinës. Ekspertët e agjencisë Reuters deklarojnë se kjo fushë e ekonomisë po shkrihet si bora nën diellin e korrikut. Në qershor kishte një rënie prej 20,6%, ndërsa në maj rënia ishte 21,5%.

Çka është më e keqja, po bie edhe konsumi i brendshëm. Në maj, shitjet me pakicë u rritën me 12.7%, ndërsa në qershor me vetëm 3.1%. Meqenëse kompanitë kineze po shohin se mallrat nuk po shiten, ato nuk kanë vullnet të punësojnë bashkëpunëtorë të rinj. Shkalla e papunësisë tek të rinjtë në Kinë ka arritur në nivelin prej 21.3% muajin e kaluar, që më parë ka qenë e paparamendueshme.

Është e qartë se një rritje e tillë e dobët ekonomike do të prekë të gjithë rajonin e Azisë Juglindore si një efekt domino, por jo vetëm këtë rajon.

E . S / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat