Europa Postuar më 12 Shtator 2024, 10:25

“Përçarje” brenda BE? - Spanja i bën thirrje bllokut të “rishqyrtojë” tarifat për Kinën

Nga SCAN TV
“Përçarje” brenda BE? - Spanja i bën thirrje

Kristi Ceta/SCAN

 

Kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez i ka bërë thirrje të hapur Komisionit Evropian dhe 26 vendeve të tjera anëtare të BE-së që të "rishqyrtojnë" tarifat e propozuara për automjetet elektrike të prodhuara nga Kina, duke ekspozuar përçarjet politike në vendet e bllokut.

Tarifat janë krijuar për të kompensuar subvencionet e pompuara në sektorin fitimprurës nga autoritetet e Pekinit, të cilat çojnë në kosto artificialisht të ulëta. Pas një hetimi disa mujor, Komisioni zbuloi se paratë publike shpërndahen në të gjithë zinxhirin e furnizimit, duke i vendosur konkurrentët evropianë në rrezik.

Si rezultat, Brukseli propozoi taksa shtesë, që varionin nga 7.8% në 35.3%, sipas markës dhe nivelit të bashkëpunimit me hetimin, që do të shkonte mbi normën ekzistuese prej 10%.

Por për kryeministrin spanjoll, kjo mund të mos jetë qasja më e mire, veçanërisht nëse shkakton masa hakmarrëse ndaj produkteve të derrit, një sektor shumë i vlefshëm dhe delikat për Spanjën.

“Ne, por edhe Komisioni, duhet të rishqyrtojmë pozicionin tonë ndaj kësaj lëvizjeje”, u shpreh Sanchez nga Shangai, ndalesa e fundit e vizitës zyrtare katërditore në Kinë.

"Nuk kemi nevojë për një luftë tregtare. Duhet të ndërtojmë ura midis Bashkimit Evropian dhe Kinës," vazhdoi ai.

Kryeministri insistoi vazhdimisht në dëshirën për të luajtur një "rol konstruktiv" midis Brukselit dhe Pekinit me shpresën se një "kompromis" do të arrihej përfundimisht, megjithëse ai nuk specifikoi se çfarë forme duhet të marrë kjo zgjidhje.

Deklarata përfaqëson një kthesë të rëndësishme për Spanjën, e cila shpesh mbështet linjën e veprimit të Komisionit Evropian. Vendi thuhet se votoi në favor të tarifës gjatë një konsultimi në korrik dhe pritej të ruante atë pozicion pozitiv në votimin e ardhshëm, të caktuar për t'u zhvilluar përpara nëntorit.

Franca dhe Italia shihen si përkrahës të tarifave shtesë, ndërsa Hungaria kryeson opozitën. Gjermania është nën presion të madh nga industria vendase për të përmbysur masën, por koalicioni qeverisës nuk ka dalë ende në një përfundim.

Kina është akuzuar se po luan një strategji “përça e sundo” për të ndarë shtetet anëtare dhe për të penguar vendimet kolektive që do të ishin të dëmshme për interesat e Pekinit.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat