Shqipëria Postuar më 13 Qershor 2022, 13:24

Mundësi e “artë” financimi për kompanitë e peshkimit - Kriteret/ Cilat përfitojnë grante deri në 50 për qind për investime në anije

Nga SCAN TV

Kompanitë e peshkimit kanë dy javë afat për të aplikuar për grante të vëna në dispozicion nga Bashkimi Europian me qëllim kryerjen e investimeve në anijet e tyre.  Në kuadër të projektit “Support to Fishery Sector in Albania” nën IPA 2016 është hapur thirrja e tretë e mbështetjes ku janë vendosur në dispozicion 720 mijë euro dhe afati i fundit është data 30 Qershor.

Përfituesi i Skemës së Granteve të Investimeve në Peshkim është çdo individ ose pronar i kompanive të anijeve të peshkimit të regjistruara në Regjistrin e Anijeve të Peshkimit në Shqipëri, dhe që zotëron Numrin Unik të Identifikimit (NUI). Aplikimi pranë Programit mund të paraqitet nga pronarët individualë të anijeve të peshkimit si dhe pronarët e kompanive të anijeve të peshkimit. Çdo përfitues ka të drejtë të aplikojë për një ose më shumë grante.

Vlera e mbështetjes do të mbulojë maksimumi 50% të shpenzimeve totale të pranueshme të Aktivitetit. Çdo grant i kërkuar duhet të jetë ndërmjet vlerave minimale prej 2,500 EURO dhe maksimumale: 60,000 EURO. Sipas kritereve të përcaktuara në program, periudha e ekzekutimit të kontratës (përfshirë blerje, instalimin dhe pagesën përfundimtare tek përfituesi) do të kryhet brenda 6 muajve nga data e fundit e nënshkrimit të kontratës nga palët. Por cilat janë dokumentet që duhet të dorëzohen?

Dosja që duhet të depozitohet pranë Ministrisë së Bujqësisë duhet të përmbajë: Formularin e Aplikimit për Grant të plotësuar sipas modelit të dhënë, kopjen e licencës së veprimtarisë së peshkimit, kopjen e dokumentit të regjistrimit të biznesit, oferta të krahasueshme të dhëna për investimin e propozuar, nga të paktën tre furnitorë, përfshirë broshurat mbështetëse, dhe Deklaratën e Nderit. Të gjithë dokumentet e sipërpërmendura të cilat e bëjnë një subject që të kualifikohet,  do të duhet të dorëzohen edhe në format digjital (CD).

Elisabeta Dosku / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=cVcQgc4oQOI

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat