Shqipëria Postuar më 20 Qershor 2024, 11:47

Më shumë shqiptarë preferojnë fondet e investimit - Shtohet numri i anëtarëve. Në 10 vite, luhatje e “frikshme” në vlerën neto të aseteve

Nga SCAN TV

Vlera neto e aseteve të Fondeve dhe numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e investimit ka shënuar rritje në tremujorin e parë të këtij viti. Por, megjithëse ky treg vazhdon të dominohet nga investimet në Obligacione Qeveritare, këto të fundit janë shoqëruar me rënie krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2023.

Sipas të dhënave të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, obligacionet qeveritare, të cilat përbëjnë 61.63% të aseteve të fondeve, janë ulur me 1.03% llogaritur me periudhën tetor-dhjetor 2023.

Vlera neto e aseteve të Fondeve arriti në rreth 51.68 miliardë lekë në periudhën janar-mars 2024, me një rritje prej 1,389 miliardë lekë ose 2.76% më shumë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Që prej vitit 2014 e deri më sot, vlera më e lartë neto e aseteve është shënuar në vitin 2022, konkretisht me mbi 76 miliardë lekë.

Numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e Investimit në tre muajt e parë të vitit 2024 është 33,243 me një rritje prej 3.27%. Viti 2022 ka pasur një numër më të lartë të personave që kanë zgjedhur fondet e investimit, gjë që është përkthyer me një vlerë të rritur të aseteve neto. Ndërsa në dy vitet e fundit, shifrat tregojnë një pakësim të anëtarëve.

Në një hark kohor prej 10 vitesh, numri i Fondeve që operojnë në tregun e investimeve është rritur ndjeshëm. Konkretisht, nga viti 2014 në 2016-ën numëroheshin gjithsej vetëm 2 Fonde investimesh që operonin në Shqipëri. Ndërkohë që prej vitit 2017, ky numër ka filluar duke u shtuar, ku aktualisht në tregun e fondeve të investimeve ushtrojnë aktivitetin e tyre 16 fonde investimi.

Kjo analizë e të dhënave për tregun e fondeve të investimeve, tregojnë se rritja e numrit të fondit të investimeve nga viti në vit, nuk është lidhur domosdoshmërisht me një shtim të interesit të qytetarëve për të investuar në këto fonde apo me një vlerë më të lartë të aseteve neto, pasi shifrat për këto dy tregues kanë pasur luhatje të vazhdueshme. Fondet e Investimit ofrojnë për individët mundësinë e diversifikimit duke investuar në disa letra me vlerë, veprime të cilat individët nuk i kryejnë vetë, por kryhen nga këto fonde.

Ledina Elezi/SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat