Shqipëria Postuar më 9 Shkurt 2026, 11:59

Rama paralajmëron ndërhyrje ligjore pas mosvendimit të Kushtetueses: Funksionet kushtetuese s’mund të pezullohen

Nga SCAN TV

Rama paralajmëron ndërhyrje ligjore pas mosvendimit të

Kryeministri Edi Rama ka bërë publike tre përfundime nga mbledhja e Grupit Parlamentar Socialist dhe duke paralajmëruar ndërhyrje në legjislacion lidhur me faktin se Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë vendim për ankimimin e tij lidhur me pezullimin e zëvëndëskryeministres Belinda Balluku.

Në deklaratën e tij, Rama thekson se funksionet kushtetuese janë të paprekshme dhe se pezullimi i një funksionari nuk prek vetëm individin, por paralizon vetë institucionin.

“Funksionet e padelegueshme kushtetuese nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton,” shprehet kryeministri.

Ai i referohet gjithashtu deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se anëtarët e saj janë unanimë për ekzistencën e problemit, por të ndarë për mënyrën e zgjidhjes. Në këtë kontekst, Rama njofton se mazhoranca do të ndërhyjë përmes ndryshimeve ligjore.

“Grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion,” deklaron ai.

Sipas Ramës, pala e vetme që nuk ndikohet nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, i cili mund të vijojë normalisht hetimet.

Reagimi i plotë i kryeministrit në rrjetin X

3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga:

1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezull­ohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.

2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.

3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.

Një shtesë nga ana ime:

SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdolloj çështjeje nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat