Amerika Postuar më 7 Maj 2025, 12:05

“Tarifat e barnave, humbje për amerikanët” - Industria farmaceutike paralajmëron për pasojat e masave të Trump

Nga Kristi Ceta

“Tarifat e barnave, humbje për amerikanët” - Industria

Amerikanët do të vuajnë më shumë nëse Donald Trump vendos tarifa për importet e produkteve farmaceutike, pasi ilaçet do të bëhen më të shtrenjta dhe të papërballueshme për disa njerëz, kanë paralajmëruar burime nga industria.

Prodhuesit e ilaçeve janë përgatitur për taksa kufitare, të ngjashme me detyrimet prej 25% për importet e çelikut, aluminit dhe makinave, pasi presidenti amerikan kërcënoi të godiste sektorin dhe njoftoi një hetim muajin e kaluar. Trump la të kuptohej se do të kishte një lehtësim për kompanitë, duke thënë se do t'u jepej kohë për të zhvendosur operacionet e tyre në SHBA, por "pas kësaj do të ngrihet një mur tarifor", shtoi ai.

Kreu i një kompanie kryesore zvicerane tha se tarifat do të çonin në ndërprerje të furnizimit dhe në rritje të çmimeve, duke i goditur më rëndë pacientët amerikanë. Kjo do ndihet më shumë në market e lira të ilaçeve.

“Ne po prodhojmë produkte me një diferencë shumë të vogël në çmim. Kjo është natyra e industrisë sonë. Pra, në fund, kostoja më e lartë e prodhimit, duke përfshirë tarifat, do të çojë në çmime më të larta. Mund të ketë edhe më shumë ndërprerje të furnizimit, sepse disa firma mund të largohen nga SHBA dhe të përqendrohen në tregjet ku mund të bëjnë më shumë biznes. Rreziku është që pacienti amerikan të vuajë më shumë,” tha kreu i kompanisë zvicerane.

Tashmë ka mungesa të vazhdueshme të barnave në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera, dhe tarifat potencialisht do ta përkeqësonin situatën, duke prishur zinxhirët e gjatë dhe kompleksë të furnizimit global. Një tarifë prej 25% e SHBA-së mbi importet farmaceutike do të rriste kostot e barnave në Britani me pothuajse 51 miliardë dollarë në vit, duke rritur çmimet deri në 12.9% nëse miratohet, sipas një analize nga një firmë kontabiliteti.

Për të shmangur tarifat që po afrohen, prodhuesit zviceranë të barnave Roche dhe Novartis po investojnë përkatësisht 50 miliardë dhe 23 miliardë dollarë në SHBA në vitet e ardhshme. AstraZeneca e Britanisë njoftoi një investim prej 3.5 miliardë dollarësh në nëntor dhe tha javën e kaluar se po zhvendoste prodhimin e disa ilaçeve nga Evropa në Shtetet e Bashkuara.

Gjithashtu, Johnson & Johnson po investon 55 miliardë dollarë për prodhimin në SHBA gjatë katër viteve të ardhshme. Kompania me seli në New Jersey është më e ndjeshme ndaj çdo tarife amerikane, për shkak të prodhimit të lartë në të gjithë Evropën, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën, Zvicrën, Italinë dhe Belgjikën.

Por ndërsa kompanitë farmaceutike, që kërkojnë çmime më të larta për produktet e tyre, mund ta zhvendosin prodhimin në SHBA, është shumë më e vështirë për prodhuesit e vegjël të barnave. Ilaçet që ata prodhojnë janë të lira dhe firmat operojnë me marzhe fitimi më të ngushta. Ekspertët e industrisë paralajmërojnë se jetët e njerëzve janë në rrezik nëse vendosen tarifa për barnat.

"Disa trajtime nuk mund ta përballojnë një ndërprerje në zinxhirin global të furnizimit. Nuk mund ta krahasosh me tarifat për automobilat. Nëse nuk përballon dot një BMW, bli një Ford dhe prapë mund të shkosh në punë. Nëse ke një rritje prej 25% të kimioterapisë dhe nuk mund ta përballosh më trajtimin tënd, cila është alternativa? Njerëzit do të vdesin për shkak të shtrenjtimit të ilaçeve," paralajmërojnë ata.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat