Shqipëria Postuar më 7 Maj 2025, 10:57

Sa e rëndë është barra e kredisë për bizneset? - Vrojtimi i BSH: Në segmentin e vogël dhe të mesëm, kostoja e huasë është zbutur

Nga Ledina Elezi

Sa e rëndë është barra e kredisë për bizneset? -

Në gjysmën e dytë të vitit 2024, bizneset e vogla rezultojnë me më pak kredi të marra nga bankat, ndërkohë që huamarrja te bizneset e mesme ka rezultuar disi në rritje gjatë periudhës dhe te ndërmarrjet e mëdha ka mbetur e pandryshuar.

Bizneset kanë marrë kryesisht kredi për përballimin e shpenzimeve afatshkurtra dhe për kryerjen e një investimi afatgjatë. Krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës, pesha e ndërmarrjeve që kanë marrë kredi për të përballuar shpenzimet afatshkurtra është rritur në rastin e bizneseve të mesme dhe atyre të mëdha, ndërsa për bizneset e vogla, kjo peshë ka mbetur e pandryshuar.

Në të njëjtën kohë, të gjitha llojet e bizneseve kanë marrë më shumë kredi për kryerjen e një investimi afatgjatë. Një peshë të rëndësishme vijon të ketë marrja e huasë për më shumë se një qëllim, ku dominon kombinimi i të dy qëllimeve të mësipërme, si dhe kombinimi për përballimin e shpenzimeve afatshkurta dhe shlyerjen e një huaje më të vjetër.

Barra e pagesës ka rezultuar më e lartë te ndërmarrjet e mëdha, ku rreth 28% e tyre raportojnë se kjo pagesë i tejkalon 20% të të ardhurave, peshë e cila është rritur. Në të kundërt, barra e pagesës ka rezultuar disi në zbutje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe pesha e atyre që deklarojnë se kosto e huasë tejkalon 20% të të ardhurave, ka shënuar rënie.

Pjesa më e madhe e bizneseve, rreth 74%, deklarojnë se pagesa e huasë arrin “deri në 20% të të ardhurave” të tyre, dhe kjo ka rënë me 1 pikë përqindje.

Sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi huamarrjen në gjashtëmujorin e dytë 2024, bizneset e vogla dhe të mesme kanë marrë kryesisht kredi në lekë. Rreth 51% dhe 56% e tyre deklaruan se kanë vetëm hua në lekë. Megjithatë, në rastin e ndërmarrjeve të vogla, kjo peshë ka rënë me 5 pikë përqindje gjatë periudhës, duke u zhvendosur drejt huamarrjes në valutë, ndërsa në rastin e ndërmarrjeve të mesme dhe atyre të mëdha ka ndodhur e kundërta.

Për të përballuar kostot e shërbimit të huasë, ndërmarrjet gjatë periudhës janë mbështetur kryesisht në përdorimin e rezervave të ndryshme (në 26% të rasteve) dhe kombinimin e disa mënyrave (në 26% të rasteve). Rritja e çmimit të produkteve, apo ulja e shpenzimeve të biznesit, janë përdorur vetëm në 16% të bizneseve huamarrëse.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat