Europa Postuar më 2 Nëntor 2022, 14:09

Kriza energjetike shkatërron fuqinë industriale të Europës - Shumë kompani që janë mbyllur rrezikojnë të mos hapen më

Nga SCAN TV
Kriza energjetike shkatërron fuqinë industriale të Europës -

Europa ka nevojë për kompanitë e saj industriale për të kursyer energjinë mes kostove në rritje dhe furnizimeve në tkurrje, dhe ato po e japin ndihmën e  tyre: kërkesa për gaz natyror dhe për energji elektrike kanë shënuar rënie në tremujorin e kaluar.

Megjithatë është ende shumë herët për ta cilësuar këtë si një situatë pozitive. Rënia e kërkesës nuk është është shënuar për shkak se kompanitë industriale po reduktojnë përdorimin e termostateve, por ato po mbyllin impiante që mund të mos rihapen më kurrë në të ardhmen.

Në një kohë që përdorimi më i ulët i energjisë ndihmon Europën të përballojë krizën e shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe reduktimet e furnizimit nga ana e Moskës, ekonomistët dhe grupet e industrisë paralajmërojnë se baza industriale mund të përfundojë shumë e dobësuar nëse kostoja e energjisë vijon të mbetet e lartë.

Industritë me energji intensive, të tilla si alumini, plehrat dhe kimikatet janë në rrezik. Kompanitë mund të zhvendosin aktivitetin e tyre përgjithmonë në vende ku energjia është e lirë, si për shembull në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe pse muaji tetor ka qenë jashtëzakonisht i ngrohtë dhe parashikimet flasin për një dimër të butë duke kontribuar në uljen e cmimeve, gazi natyror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kushton ende rreth një të pestën e asaj që paguajnë kompanitë në Europë.

Aktualisht gjithnjë e më shumë kompani po heqin dorë nga prodhimi, dhe një gjë e tillë mund të cojë në de-industrializimin e Europës shumë shpejt.

Aktiviteti prodhues i Eurozonës këtë muaj arriti nivelin e tij më të dobët që nga maji 2020, duke sinjalizuar se Europa po shkon drejt një recesioni.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se kërkesa europiane për gaz industrial ra me 25% në tremujorin e tretë nga një vit më parë.

Nga komisioni europian bëhet e ditur se po bëhet gjithcka e mundur për të parandaluar një reduktim të aktivitetit industrial. Por kur moti bëhet më i ftohtë dhe familjet të përdorin ngrohjen, sektori industrial do të jetë i pari që do të përballet me shkurtime në rast mungesash, paralajmërojnë ekonomistët.

Industria europiane ka zhvendosur prodhimin në vende me fuqi punëtore më të lirë dhe kosto të tjera më të ulëta për dekada, por kriza e energjisë po përshpejton eksodin, sipas analistëve.

Prodhimi primar i aluminit të Bashkimit Europian u përgjysmua, u shkurtua me 1 milion ton, gjatë vitit të kaluar.

Shifrat tregtare të përpiluara nga Reuters tregojnë se të nëntë impiantet e shkrirjes së zinkut në bllok ose kanë reduktuar ose kanë ndaluar prodhimin, i cili është zëvendësuar me importe nga Kina, Kazakistani, Turqia dhe Rusia.

Rihapja e një fabrike alumini kushton deri në 400 milionë euro dhe nuk ka gjasa të ndodhë duke pasur parasysh perspektivën e pasigurt ekonomike të Europës, sipas analistëve.

Përpjekjet perëndimore për të siguruar furnizime jo vetëm për energji, por edhe për mineralet kryesore të përdorura në automjetet elektrike dhe infrastrukturën e rinovueshme janë gjithashtu në rrezik nga çmimet e larta të energjisë.

Brukseli pritet të propozojë legjislacion të ri në fillim të vitit të ardhshëm - Aktin Europian të Lëndëve të Para Kritike - për të krijuar rezerva të mineraleve të domosdoshme në tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër, si litiumi, boksiti, nikeli dhe mineralet e rralla.

Por pa më shumë energji të rinovueshme dhe kosto më të ulëta, kompanitë nuk kanë gjasa të investojnë në Europë. Erozioni industrial i frikshëm tashmë po ndodh. Europa u bë një importuese neto e kimikateve për herë të parë këtë vit, sipas Cefic, Këshilli Europian i Industrisë Kimike.

Më shumë se gjysma e prodhimit europian të amoniakut, një përbërës kyç në plehra, është mbyllur dhe është zëvendësuar nga importet, sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Plehrave.

Prodhuesi norvegjez i plehrave Yara ka shkurtuar dy të tretat e prodhimit europian të amoniakut dhe nuk ka plane të menjëhershme për ta rritur atë.

Javën e kaluar, grupi më i madh kimik në botë BASF vuri në dyshim nëse kishte një mundësi biznesi për impiante të reja në Europë.

SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat