Konferenca e fundvitit, Rama bën bilancin: Ky vit do të mbyllet me një rritje ekonomike që tejkalon çdo parashikim!

Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit me gazetarët u shpreh se ky vit do të mbyllet me një rritje ekonomike që e tejkalon ndjeshëm çdo parashikim të bërë qoftë nga qeveria shqiptare, qoftë edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.
“Të ardhurat kanë qenë më të larta se asnjë vit më parë dhe me një rritje të ndjeshme mbi ato të parashikuara”, tha ai.
Rama u shpreh gjithashtu se ky vit ka pasur rënie të mëtejshme të papunësisë reale dhe sot vendi ka një papunësi që është më e ulta e të gjitha viteve deri tani. “10.5% dhe synimi është që vitin e ardhshëm të fillojmë të zbresim hap pas hapi nën 10%”, u shpreh ai.
Fjala e plotë:
Mirëdita dhe mirë se erdhët në këtë konferencë tradicionale të fund vitit, ku zakoni e do që të bëjmë një pasqyrë të këtij viti e natyrisht pastaj ju të bëni të gjitha pyetjet e të ngrini të gjitha çështjet që dëshironi.
Për hir të vërtetës, në këtë konferencë unë mund të them me plot gojën se ndjehem më mirë se në asnjë vit të mëparshëm, si rezultat i gjithë ecurisë së vitit që po mbyllim, i cili ka qenë pa diskutim viti më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt. Viti më i mirë në aspektin ekonomik, gjithmonë këtu duhet pasur parasysh paranteza në raport me vitet e shkuara dhe jo në raport me sa shumë ende duhet bërë në çdo drejtim e në radhë të parë për rritjen e mëtejshme të ekonomisë kombëtare dhe të ekonomisë të familjeve shqiptare.
Viti më i mirë në aspektin e sigurisë.
Viti më i mirë në aspektin e shërbimeve publike të investimeve publike e të investimeve të huaja, të drejtpërdrejta.
Viti më i mirë në aspektin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë.
Faktikisht ky vit do të mbyllet me një rritje ekonomike që e tejkalon ndjeshëm çdo parashikimi të bërë qoftë nga qeveria shqiptare, qoftë nga institucionet financiare ndërkombëtare. Ne besojmë se shifra përfundimtar do të jetë afër 4%. 3.7% apo 3.8%.
Të ardhurat kanë qenë më të larta se asnjë vit më parë dhe me një rritje të ndjeshme mbi ato të parashikuara.
Në 9 mujorin e parë vetëm nga turizmi Shqipëria ka përfituar 3.2 miliard euro të hyra, që është një shifër shumë e lartë dhe pa asnjë krahasim me vitet e mëparshme. E këtu dua të bëj një parantezë për të gjithë ata që gabimisht e shohin rritjen e numrit të turistëve të palidhur me ekonominë e tyre dhe rëndom komentojnë se nuk na duhen turistët, na duhet ekonomia. Në fakt, turistët janë një nga kanalet më të rëndësishme të rritjes e të zhvillimit ekonomik dhe turizmi konsiderohet pjesë e të gjithë zërave të eksportit.
Po ashtu ky vit ka pasur rënie të mëtejshme të papunësisë reale dhe sot jemi me një papunësi që është më e ulta e të gjitha viteve deri tani. 10.5% dhe synimi është që vitin e ardhshëm të fillojmë të zbresim hap pas hapi nën 10%.
Investimet e huaja direkte kanë arritur një vlerë mbi 1 miliard euro ose afro 60 milionë euro mbi vitin e shkuar.
Paga minimale këtë vit u rrit në vlerën e 40 mijë lekëve, që praktikisht përkon falë forcimit të monedhës vendase si asnjëherë më parë, me 400 euro.
Po ashtu kanë filluar të gjitha programet e mbështetjeve dhe të kompensimeve qoftë për efektet e rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo të punësuar me pagë minimale, qoftë edhe për pensionet që falë indeksimeve të një pas njëshme të bëra gjatë këtij viti, kanë arritur në vlerën rreth 9%.
Paga në sektorin publik ka vazhduar të rriten ndjeshëm e vitin e ardhshëm, në qershor ato do të kenë një tjetër rritje të konsiderueshme të parashikuar tanimë në buxhetin e vitit 2024 ku arsimtarët, ushtarakët, punonjësit e policisë, mjekët dhe të gjithë punonjësit e administratës do të kenë një rritje që do ta çojë faktikisht pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro.
Filloi programi i mbështetjes me kreditë e garantuara nga qeveria për punonjësit e policisë, ushtarakët dhe mjekët, për çiftet e reja, për familjet e reja, deri në moshën 40 vjeç dhe ky program është i mbështetur financiarisht për të arritur fillimisht një shifër prej 1000 shtëpish për këto 3 kategori që janë edhe shërbëtorë 24 orë në 7 ditë të javës të shtetit e të qytetarëve të republikës së Shqipërisë.
Këtë vit kemi pasur një rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë me rreth 30% krahasuar me 1 vit më parë. Janë mbështetur 2000 familje me instalimin e paneleve fotovoltaike me një program që do të vazhdojë më tutje e do të rritet me mbështetje financiare për familjet që do të instalojnë panelet fotovoltaike. 2000 familje kanë qenë pjesë e hapit të parë të këtij programi.
Aeroporti i Tiranës është ngjitur tanimë në krye, krah për krah me aeroportin e Beogradit si aeroporti me numrin më të madh të pasagjerëve në rajon, diçka që ishte e paimagjinueshme disa vite më parë e ndërkohë është aeroporti me rritjen më të lartë të pasagjerëve në të gjithë klasifikimin e bërë nga Agjencia Europiane e Aviacionit Civil për të gjithë europën.
Mbi gjysmë milion udhëtarë kanë zbritur në portin e Sarandës. E nxora veç këtë shifër sepse më duket shumë domethënëse për jo vetëm çfarë ka ndodhur këtë vit por dhe për potencialin e jashtëzakonshëm që ka dhe për këtë arsye ne e kemi hapur rrugën për një investim të rëndësishëm në Sarandës për portin e ri turistik dhe njëkohësisht jemi në procesin e vlerësimit të një transformimi dhe të portit ekzistues të Sarandës.
Janë mbyllur këtë vit 37 projekte për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm në 29 bashki dhe numrit të banorëve të furnizuar 24 orë me ujë i janë shtuar 223 mijë banorë të tjerë.
Nuk dua t’ju marr shumë kohë dhe t’ju lodh me shifra, por besoj që në një konferencë si kjo është e pamundur që të shmangen të paktën një sërë shifrash që janë domethënëse dhe që nuk është rasti gjatë vitit që të thuhen e të ri thuhen.
Eksportet bujqësore kanë vazhduar të rriten. Vlera e 11 mujorit plus është 64.4 milionë euro. Ndërkohë kanë vazhduar investimet në infrastrukturën e ujitjes e të kullimit dhe janë afro 20 mijë hektarë të tjera që kanë tanimë një infrastrukturë tërësisht të ripërtërirë të ujitjes e të kullimit, që i shtohen qindra e mijëra hektarëve të siguruara me ujitje dhe me kullim deri në vitin e shkuar. Ka vazhduar rehabilitimi i argjinaturave e janë pastruar përsëri qindra kilometra kanale kryesore kullues.
Më tej besoj është e rëndësishme që të vlerësohet me këtë rast puna realisht e lavdërueshme e bashkive të Përrenjasit, Roskovecit, Belshit, Skraparit dhe të Cërrikut. Cërriku i pari si pionier i një ndryshimi të ri të cilin ne kemi bërë përpjekje ta motivojmë këtë vit e do vazhdojmë shumë më fort vitin e ardhshëm në vazhdim, për qendrat e kompostimit të mbetjeve bujqësore, të cilat i rikthehen fermerëve duke rritur cilësinë e prodhimit, por njëkohësisht dhe duke garantuar një cikël të plotë të përpunimit të tyre dhe jo vetëm duke garantuar pastërti në të gjitha këto territore por edhe duke kthyer mbrapsht në formën e imputit të drejtpërdrejtë bujqësore, mbetjet e kompostuara e të ripërpunuara.
Programi i mbështetjes financiare të nënave e 3 fëmijë ka ecur shumë mirë. Ashtu sikundër edhe programi i mbështetjes për rreth 60 mijë të moshuar mbi moshën 65 vjeç për fishat e diabetit. Në sistemin shëndetësor kanë vazhduar të bëhen investime të konsiderueshme, por një shifër që besoj vlen të sillet këtu është se janë punësuar 391 mjek të rinj dhe 1079 infermierë.
Nuk po rendis numrin e spitaleve dhe të qendrave mjekësore që janë ndërtuar nga e para apo janë rindërtuar, por po ndalem tek suksesi spektakolar i Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, që sot, e them me plot gojën, është një ndër spitalet më të mira të rajonit dhe në Shqipëri është spitali që ofron shërbimin më të shkëlqyer, duke përfshirë edhe të gjitha strukturat private.
Kemi vazhduar me programin e laboratorëve smart në shkolla, janë instaluar në ndërkohë 12 laboratorët e para të Inteligjencës Artificiale në shkollat publike dhe pas 100 laboratorëve smart që janë vënë në punë këtë vit do të vazhdojmë me 216 laboratorë të tjerë vitin e ardhshëm.
Këtë vit është rritur ndjeshëm paga e personelit akademik dhe është rritur me 40% financimi i arsimit të lartë.
Dua të mbyll këtë pasqyrë pa bërë inventarin e kantiereve të mëdha të punëve publike sepse i keni ndjekur, i keni para syve dhe viti që po mbyllim ka qenë viti me intensitetin më të madh të punës në kantierë të mëdha të infrastrukturës, të rrugëve kombëtare, janë një sërë aksesh të reja ndërkohë që janë vënë, më në fund, në vijë edhe punët në tunelin e Murrizit, i cili, së bashku me tunelin e Llogarasë, do të hapen vitin e ardhshëm, ndërkohë që janë duke u finalizuar edhe kontratat për të filluar punën me segmente të tjera të Korridorit Blu, që është edhe vepra më madhore e infrastrukturës, ashtu sikundër kemi marrë edhe përgjigjen pozitive për segmentin hekurudhor Durrës- Han i Hotit, si edhe presim përgjigje pozitive për një tjetër pjesë të segmentit hekurudhor Durrës- Pogradec, që është pjesë e Korridorit të Tetë, ku ndërkohë po zhvillohen intensivisht punimet për korridorin rrugor.
Përsa i përket dy pikave që thashë, e para, jemi shumë të lumtur, kjo është fjala, të lumtur, me programin e sportit në shkolla, ka qenë një sukses i shumëpritur. Kemi mbi 10 mijë fëmijë që janë angazhuar falë lidershipit dhe punës së shkëlqyer organizative të Komitetit Olimpik Shqiptar në lëvizjen sportive me skuadrat e volejbollit, basketbollit në djem dhe vajza dhe jemi përgatitur me Komitetin Olimpik Shqiptar për të zgjeruar aktivitetin sportiv në shkolla edhe me disiplina të tjera, ndërkohë që është rritur zinxhiri i skuadrave të moshave, duke ulur dyshemenë deri tek fëmijët e moshës 6-8vjec.
Kjo është e jashtëzakonshme për të sotmen dhe për të ardhmen dhe është një burim i sigurt shëndeti, një burim i sigurt edukimi, por edhe një burim i sigurt i rritjes së cilësisë edhe të sporteve profesioniste, të skuadrave profesioniste kur gjithë kjo bazë fëmijësh do fillojë të ngjitet në moshat e mësipërme.
Unë kam marrë një përgëzim shumë të mirëpritur nga Komiteti Olimpik Botëror, nga Komiteti Olimpik Europian dhe ajo çka është qershia mbi tortë e këtij programi që tanimë është në rrugë të mbarë dhe vitin e ardhshëm hyn në edicionin e dytë është se Shqipëria do të mikpresë vitin e ardhshëm Festivalin e Parë të Sportit për nxënësit e shkollave për Europën Juglindore, një nisëm e presidentit të Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, e mbështetur me dy duar nga qeveria shqiptare dhe besoj që verën e ardhshme do kemi një aktivitet të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, me një numër mbresëlënës të rinjsh nga i gjithë rajoni ynë.
Tjetra, e fundit, e sjell këtu në vëmendje sepse nuk ka rënë rasti për të folur për këtë, por sot, duke parë të gjitha të dhënat dhe duke përgatitur këtë konferencë, pashë ecurinë e procesit të konfiskimeve të pallateve, të shtesave të paligjshme të pallateve, për të cilat u bë një zhurmë e shoqëruar edhe me shumë hamendësime dhe me shumë shpifje dhe më vjen mirë t’ju them se ka filluar arkëtimi i parave në arkën e shtetit nga procesi i ndëshkimit të ndërtuesve që kanë kapërcyer kufijtë e lejeve të ndërtimit. Janë arkëtuar 3,5 milionë euro deri tani nga 5 objekte dhe janë 4 objekte të tjera që pritet të vazhdojnë pagesat dhe presim vetëm nga 9 objektet e para 10,5milionë euro në arkën e shtetit. Pra, për çdo metër katror të bërë pa leje, aty ku është konsideruar parablerja nga subjektet, subjektet po paguajnë dhe do paguajnë deri në fund si frëngu pulën çdo metër katror që kanë bërë pa leje.
Ndërkohë që janë 15 objekte të tjera të konfiskuara që janë në proces, nuk kanë shprehur interes për procesin e parablerjes kështu që do të vazhdohet me masat e tjera që parashikon ligji për konfiskimin, si dhe më vjen shumë mirë të them që falë këtij veprimi agresiv ekstrem, të cilit i kishte ardhur koha për t’i dhënë fund këtyre historive, shikojmë një disiplinim jashtëzakonisht të mirëpritur të punimeve të ndërtimit dhe institucionet përkatëse nuk konstatojnë shkelje të kësaj natyre, por të gjithë duhet ta kenë të qartë që kush bën një metër katror shtesë, do të paguajë si frëngu pulën dhe do i dalë nga hundët çdo përpjekje për të përfituar atë që si takon. Me këtë të fundit unë jam në dispozicion për pyetjet tuaja.
SCAN
Sondazh

Nga kthimi në Hënë te zhvillimet e inteligjencws artificiale: Çfarë presim nga shkenca në vitin 2024?
Nëse shumë aspekte të vitit 2024 janë ende të panjohura për momentin, tani mund të presim me padurim takimet e shumta me shkencën e planifikuar tashmë për......

2023, Viti i hekurudhave - Projektet infrastrukturore që “morën rrugë”!
Viti 2023 shënoi nisjen e disa projeketeve të rëndësishme infrastrukturore rrugore, ndërkohë që zhvillime pati edhe në drejtim të transportit hekurudhor.......

Turizmi tejkalon çdo parashikim - Viti 2023 prek rekord të padiskutueshëm, e tregojnë shifrat
Turizmi padyshim që ka qenë kryefjala e këtij viti, pasi muaj pas muaji ka regjistruar rekorde të reja duke thyer çdo parashikim. Shifrat zyrtare nga......

Energjia gjatë vitit 2023 - Ngjarjet që shënuan sektorin dhe zhvillimet për 2024-ën
2023-i ka qenë një vit i mirë për sektorin energjetik në vend. Reshjet e shiut favorizuan prodhimin e energjisë në Kaskadën e lumit Drin, duke bërë që përveç......

Sukseset dhe dështimet gjatë 2023 - Rajoni mbetet në pritje të përmirësimeve
Ekonomitë e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kanë tejkaluar nivelet para pandemisë, pavarësisht nga......

10 fjalët kyçe për ekonominë në 2023 - Vit i ardhshëm parashikohet i zymtë për disa shkaqe
Ekonomia globale po përballet me një nga periudhat më të këqija që nga kriza financiare e viteve 2007-2008. E gjitha filloi me pandeminë COVID-19, e ndjekur......

2023, Zhgënjimi me Bonot e Obligacionet
Ndërsa bonot e obligacionet qeveritare ishin harruar prej vitesh nga qytetarët për shkak të interesave shumë të ulëta dhe përfitimeve të reduktuara, një......

Tregjet financiare në vitin 2024: Parashikohet rënie e tregut të naftës, kriptomonedhat do të “shkëlqejnë”!
Tradita e parashikimit të tregjeve financiare është e njohur tashmë, por edhe frekuenca me të cilën shumë vëzhgues të tregut gabojnë, është gjithashtu një......