Shqipëria Postuar më 18 Prill 2023, 13:51

Kamatvonesat “fryjnë” arkën e OSHEE - Gjatë vitit 2022 arkëtoi 1.37 mld lekë, 505 mln lekë më shumë se 1 vit më parë

Nga SCAN TV
Kamatvonesat “fryjnë” arkën e OSHEE - Gjatë vitit

Pamundësia për të paguar në kohë faturat nga abonentët është përkthyer në të ardhura të konsiderueshme për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, si pasojë e mbledhjes së kamatvonesave.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2022, OSHEE ka arkëtuar 1.37 mld lekë nga rreth 4.6 mln fatura që nuk janë likujduar në kohë nga klientët që furnizon me energji elektrike. Në raport me një vit më parë numri i faturave për të cilat është arkëtuar kamatvonesë është thuajse i njëjtë, por vlera ka pësuar një rritje të ndjeshme, duke qenë se për periudhën janar – dhjetor 2021, nga kamatvonesat u arkëtuan rreth 869 milion.

Praktikisht, gjatë vitit 2022 janë mbledhur rreth 505 mln lekë më shumë vetëm nga moslikujdimi në kohë i faturave të energjisë elektrike. Ndërkaq, duke marrë në konsideratë faktin se ndryshimi në raport me një vit më parë është shënuar vetëm në vlerë dhe jo në numrin e faturave, me gjasë kjo rritje ka ardhur nga abonentët e kategorisë së biznesit, që u përballën me rritje të çmimit të energjisë si pasojë e nxjerrjes së tyre në tregun e liberalizuar.

Vitin që shkoi rreth 7500 binzese të lidhur në tensionin 20, 10 dhe 6 KV, për shkak të liberalizimit u përballën me rritjen e çmimit të energisë, në masën 70%. Paralelisht, kjo kategori abonentësh ka shënuar edhe një rritje të borxheve ndaj OSHEE, për fatura të palikujduara. Në total, gjatë vitit 2022 Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike arkëtoi 81.2 mld lekë.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat