Europa Postuar më 19 Shtator 2024, 15:05

Gjermania do të rrisë importet e naftës nga Kazakistani - Scholz kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm për lëndët e para

Nga SCAN TV
Gjermania do të rrisë importet e naftës nga Kazakistani - Scholz

Kristi Ceta/SCAN

 

Kazakistani i pasur me naftë është partneri më i rëndësishëm i Gjermanisë në Azinë Qendrore. Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh se do të “bëjë gjithçka” për të përmirësuar marrëdhëniet ekonomike me partnerin aziatik.

Në takimin me presidentin e Kazakistanit Kasim-Jomart Tokaev, ai theksoi "bashkëpunimin e vazhdueshëm" në sektorin e lëndëve të para, duke përfshirë litiumin.

"Të dyja palët përfitojnë nga ky shkëmbim sepse na lejon të diversifikojmë ekonomitë tona dhe t'i bëjmë ato më elastike," tha Scholz. “Një shembull konkret për këtë janë furnizimet me naftë nga Kazakistani, që na ndihmuan shumë pas ndërprerjes së marrëveshjeve me Rusinë,” vazhdoi ai.

Me 11,7 për qind të totalit, Kazakistani është furnizuesi i tretë më i madh i Gjermanisë me naftë, pas Norvegjisë dhe Shteteve të Bashkuara, dhe pjesërisht kompenson mungesën e importeve nga Rusia pas sulmit në Ukrainë.

Gjermania dhe Kazakistani ranë dakord të rrisin furnizimin me 100.000 tonë naftë bruto në muaj.

Gjatë vizitës u nënshkruan marrëveshje për bashkëpunimin e Bankës Kombëtare të Kazakistanit me Bundesbank, si dhe për themelimin e Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë në Universitetin Gjermano-Kazakistan në Almati dhe të shkollave ​​gjermane.

Falë tregtisë me fqinjët e tij të rëndësishëm, Rusinë dhe Kinën, Kazakistani ka pasur rritje ekonomike mbi mesataren prej vitesh.

Gjatë një vizite tre-ditore në Azinë Qendrore, Scholz nënshkroi një marrëveshje dypalëshe për emigracionin me Uzbekistanin. Marrëveshja do të lehtësojë ardhjen e punëtorëve të kualifikuar nga Uzbekistani në Gjermani, veçanërisht në sektorin e kujdesit dhe shëndetësisë. Gjithashtu, do të përshpejtohet riatdhesimi i uzbekëve që qëndrojnë në Gjermani pa leje.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat