Europa Postuar më 25 Korrik 2023, 11:49

Gjermania, 20 miliard euro për prodhimin e çipave - Objektivi, nxitja e sektorit të teknologjisë në vend

Nga SCAN TV
Gjermania, 20 miliard euro për prodhimin e çipave - Objektivi,

Qeveria gjermane planifikon të investojë 20 miliardë euro në prodhimin e çipave dhe në këtë mënyrë të nxisë sektorin e teknologjisë në vend. Berlini do të përdorë shumën nga Fondi ekstra-buxhetor i Klimës dhe Transformimit për kompanitë gjermane dhe të huaja deri në vitin 2027.

Prodhuesi amerikan i çipave Intel dhe TSMC e Tajvanit do të marrin 75 % të shumës totale. Intel do të marrë subvencione nga qeveria gjermane në vlerë prej 10 miliardë euro, e cila është e destinuar për fabrikën e çipave në Magdeburg. Kjo shumë përfaqëson një të tretën e vlerës totale të investimit.

Qeveria gjermane është në fazën përfundimtare të negociatave me prodhuesin më të madh të çipave në botë, TSMC të Tajvanit. Berlini dëshiron që TSMC të ndërtojë një fabrikë çipash në Dresden dhe qeveria gjermane do të ndajë pesë miliardë euro për kompaninë tajvaneze, që është gjysma e investimit total në objekt.

Prodhuesi më i madh gjerman i gjysmëpërçuesve Infineon do të marrë një miliard euro, që përfaqëson rreth 20 % të investimit në fabrikën e re të çipave pranë Dresdenit. Mbështetje shtetërore do të marrë edhe projekti i përbashkët i kompanisë gjermane ZF Friedrichshafen dhe kompanisë amerikane Wolfspeed, të cilat presin ndihmë shtetërore prej 750 milionë euro.

Berlini vendosi për subvencione të mëdha pavarësisht se qeveria planifikon të shkurtojë buxhetin për vitin e ardhshëm, që nënkupton reduktimin e shpenzimeve për politikën sociale. Paketa gjermane e subvencioneve për industrinë e çipave është më e madhe se investimet e paralajmëruara nga qeveritë e Japonisë apo Indisë.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat