Bota Postuar më 24 Maj 2022, 11:04

Frika për recesion rrëzon naftën - BE pritet të miratojë brenda pak ditësh ndalimin e importeve nga Rusia

Nga SCAN TV

Nafta po qëndron në rënie në sesionin e sotëm, për shkak të shqetësimeve për një recesion të mundshëm të ekonomisë globale dhe dobësimit të konsumit, si pasojë e rritjes së çmimeve, që kanë eklipsuar pritshmëritë se kërkesa do të rimëkëmbet pas rihapjes së provincave më të mëdha në Kinë, duke përfshirë këtu edhe Shanghain. Njëkohësisht, Pekini zyrtar ka premtuar stimuj për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet poshtë 112 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 108.5 dollarë për fuçi. Disa kërcënime për ekonominë globale po kryesojnë edhe axhendën e Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, ku është ngritur edhe shqetësimi për një recesion. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, deklaroi se nuk parashikon një recesion për ekonomitë më të mëdha, por kjo mundësi nuk mund të përjashtohet plotësisht.

Gjithashtu, bota po përballet me probleme edhe në zinxhirin e furnizimit me naftë, me shumicën e kompanive që kanë frikë të investojnë në këtë sektor. Shefi i kompanië saudite, Saudi Aramco, deklaroi në Forum se një tjetër sfidë për industrinë e naftës është edhe tranzicioni drejt energjisë së gjelbër.

Në fokus të tregjeve janë edhe bisedimet e Bashkimit Europian për të vendosur një embargo të plotë ndaj naftës ruse brenda disa ditësh. Në anën tjetër, Moska deklaroi se marrëdhëniet ekonomike po forcohen me Kinën, pas izolimit të Rusisë nga vendet perëndimore si pasojë e pushtimit të Ukrainës.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat