Europa Postuar më 11 Prill 2024, 10:20

Fondi Europian i Rimëkëmbjes rrezikon dështimin - Vendet anëtare kërkojnë reduktim të menjëhershëm të burokracive

Nga SCAN TV
Fondi Europian i Rimëkëmbjes rrezikon dështimin - Vendet

Qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë marrë më pak se një të tretën e shumës fillestare prej 723 miliardë eurosh që supozohej të ndaheshin për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë së koronavirusit. Sipas informacioneve nga Politico, vendet po kërkojnë nga komisioni që të reduktojë burokracinë që i pengon ata “të thithin” një pjesë të fondeve nga Fondi Europian i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (RRF).

Vonesat në miratimin e kërkesave të vendeve anëtare janë për shkak të skandalit që rezultoi në arrestimin e më shumë se 20 të dyshuarve nga policia italiane në të gjithë BE-në në një hetim për një mashtrim prej më shumë se 600 milionë euro.

Pas shpërthimit të skandalit, vendet duhej të kalonin një verifikim të rreptë për të aksesuar tek paratë, të cilat përbëhen nga grante dhe kredi. Nga ana e tij, Komisioni Europian është duke eksploruar mënyra për të përshpejtuar shpërndarjen e fondeve.

Ekzekutivi i BE-së ka reduktuar tashmë shumën totale të disponueshme nga 723 miliardë euro në 648 miliardë euro pasi qeveritë nuk arritën të aplikonin për pothuajse 100 miliardë euro kredi përpara afatit të ndërmjetëm në fund të 2023.

Sipas të dhënave të publikuara, Komisioni ka zhbllokuar vetëm 225 miliardë euro. Spanja, e cila supozohet të jetë përfituesi i dytë më i madh pas Italisë, ka marrë vetëm 340 milionë euro kredi. Kjo është më pak se 83 miliardë euro të caktuara për vitin 2021. Vendet duhet të paraqesin një plan rikuperimi që përcakton se si do të përdoren paratë e gatshme dhe çfarë reformash do të promovojnë në këmbim.

Një arsye kryesore për vonesën është se Komisioni e sheh fondin si një mjet për të detyruar qeveritë të reformojnë një sërë çështjesh, duke përfshirë pensionet dhe standardet demokratike. Vendet duhet të ndryshojnë ligjet – të njohura si “piketa” në gjuhën e Brukselit – dhe të përmbushin objektiva specifike përpara se të marrin paratë. Komisioni po shqyrton mënyra për të përshpejtuar disbursimin pa ndryshuar zyrtarisht rregullat, megjithëse nuk e ka thënë publikisht këtë, thuhej në artikull, me Brukselin që megjithatë fajëson qeveritë për vonesën.

Disa vende – veçanërisht ato që mund të marrin hua me çmim të ulët nga tregjet financiare – ngurrojnë të bëjnë reforma jopopullore në këmbim të huave që përfundimisht do të duhet të shlyhen.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat