Analiza Postuar më 17 Korrik 2026, 12:30

Shqipëria mbi mesataren e BE-së, inflacioni arrin 3.2%/ Argëtimi shtrenjtohet me mbi 10%, ushqimet japin goditjen kryesore

Nga Xhorxhina Deda

Shqipëria mbi mesataren e BE-së, inflacioni arrin 3.2%/ Argëtimi

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, i cili mundëson matjen e inflacionit sipas metodës europiane, u regjistrua në 3.2% në Shqipëri gjatë muajit qershor. Në të njëjtin nivel u fik­sua edhe inflacioni i matur nga INSTAT, duke treguar se rritja vjetore e çmimeve mbetet mbi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria vijon të ketë një normë inflacioni më të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila në qershor ishte 2.9%. Vendi ynë renditet në të njëjtin nivel me Austrinë, Islandën dhe Qipron, ndërsa rritja më e fortë e çmimeve u regjistrua në Rumani me 9.2%, e ndjekur nga Kosova me 6% dhe Gjeorgjia me 5.6%.

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria pozicionohet më mirë se Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Kroacia, ku inflacioni luhatet nga 3.5% në 4.2%. Megjithatë, rritja e çmimeve në vendin tonë mbetet më e lartë se në Serbi, ku norma ishte 3%, si edhe se në disa prej ekonomive kryesore europiane, përfshirë Italinë, Gjermaninë dhe Francën.

Presionin kryesor mbi inflacionin e dhanë sërish ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat kontribuuan me 1.02 pikë përqindje në rritjen totale të çmimeve. Megjithatë, shtrenjtimin më të madh vjetor e regjistroi grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 10.2%, i ndjekur nga pijet alkoolike dhe duhani me 4.9%, si edhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 3.9%.

Në raport me muajin maj, çmimet e konsumit u ulën me 0.1%. Rwnia mujore u ndikua kryesisht nga transporti, ku çmimet ranë me 2.1%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat