Analiza Postuar më 29 Qershor 2026, 11:50

Administrata, “motori” i ekonomisë edhe në fillimvit/ Prodhimi i Brendshëm arrin 27.9 miliardë euro në vitin 2025. U zgjerua me 3.66%

Nga Xhorxhina Deda

Administrata, “motori” i ekonomisë edhe në fillimvit/

Ekonomia shqiptare duket se e ka nisur vitin 2026 me ritme pozitive, duke konfirmuar ecurinë e qëndrueshme të rritjes edhe pas zgjerimit të shënuar një vit më parë. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), në terma realë, u rrit me 3.71% në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kontributin më të madh në rritjen ekonomike e dha administrata publike, ndërsa industria dhe bujqësia, sektorët tradicionalë dhe më të rëndësishëm në afatgjatë vijuan të frenojnë zgjerimin e ekonomisë.

Po ashtu, ekonomia shqiptare vijoi të rritet edhe përgjatë vitit 2025. Sipas të dhënave gjysmëfinale të INSTAT, PBB-ja u zgjerua me 3.66% në terma realë, ndërsa vlera e ekonomisë arriti në 2.65 trilionë lekë, ose rreth 27.9 miliardë euro, nga 2.52 trilionë lekë një vit më parë. Megjithëse ritmi i rritjes ishte më i ulët se 4.03% i regjistruar në vitin 2024, ekonomia shqiptare vijoi të zgjerohet e mbështetur kryesisht nga sektori i shërbimeve.

Në tremujorin e parë të këtij viti, aktivitetet e administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë dhanë kontributin më të madh në rritjen ekonomike me 1.68 pikë përqindje, të ndjekura nga aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0.52 pikë përqindje.

E njëjta prirje u shfaq edhe gjatë vitit 2025. Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia dhanë kontributin më të madh në rritjen ekonomike me 1.65 pikë përqindje, të ndjekura nga ndërtimi me 0.50 pikë përqindje, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 0.47 pikë, si dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0.42 pikë përqindje. Ndërkohë, industria dhe bujqësia sërish mbetën dy sektorët që frenuan zgjerimin e ekonomisë, duke dhënë kontribute negative përkatësisht me 0.41 dhe 0.38 pikë përqindje.

Struktura e ekonomisë shqiptare vijon të dominohet nga sektori i shërbimeve, i cili zë 49.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe u rrit me 5.83% në terma realë gjatë vitit 2025. Ndërtimi përbën 12.56% të ekonomisë dhe u zgjerua me 4.11%, ndërsa industria zë 10.08% të PBB-së dhe u tkurr me 3.72%. Bujqësia, pyjet dhe peshkimi përfaqësojnë 14.59% të ekonomisë dhe shënuan një rënie prej 2.5%, duke vijuar të humbasin peshë në strukturën e ekonomisë.

Nga ana e kërkesës, konsumi vijon të mbetet shtylla kryesore e ekonomisë. Në vitin 2025, ai përbënte 82.2% të PBB-së dhe u rrit me 4.66% në terma realë.

Shqipëria 29 Qershor Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur këtë javë negativisht duke pasur një fundjavë në rënie sikurse edhe javën e shkuar teksa është blerë mëngjesin e kësaj atë hëne......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat