Shqipëria Postuar më 27 Shkurt 2025, 10:51

Njihen vitet e punës para ‘94, si të aplikoni për pension? - Llogaritja/Përfitimi për individët sipas ndërmarrjeve ku kanë punuar

Nga Elisabeta Dosku

Njihen vitet e punës para ‘94, si të aplikoni për pension?

Mbi 30 mijë qytetarëve do t’u njihet periudha e punësimit para vitit 1994, pa pasur nevojën e hapjes së proceseve gjyqësore për shkak të dëmtimit të dokumentacioneve.

Ligji i cili ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi,  për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, të periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi të mesin e muajit Mars 2025.

Sipas ligjit, personat kanë të drejtën për të kërkuar njohjen si  periudhë të përgjithshme sigurimi, sipas këtij ligji,  kur u lind e drejta për të kërkuar caktimin e një pensioni nga sigurimet shoqërore.

Për personat që kanë punuar në institucione shtetërore dhe ish-ndërmarrje shtetërore që të përfitojnë duhet të kenë qenë me vendbanim në qytet dhe  të mos ketë qenë duke vuajtur dënimin me  heqje lirie pasi këto vite nuk njihen si periudhë sigurimi. Periudha e punësimit për efekt të llogaritjes së  bazës së vlerësuar për pension merret me pagë referuese 3 288 lekë dhe 4 110 lekë sipas kategorisë së aplikuesve.

Personat që kanë punuar në ish kooperativat bujqësore, duhet të kenë qenë me vendbanim në fshatin ku ka ushtruar aktivitetin ish- kooperativa bujqësore dhe të mos kenë qenë të dënuar.

Të njëjtat kritere vlejnë edhe për të punësuarit në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në këtë rast paga referuese për periudhën e sigurimit, për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për pension do të jetë 2 833 lekë.

Njohja e periudhave të punësimit, sipas këtij ligji, bëhen për pensione që nuk janë caktuar deri në hyrjen në fuqi të tij, pavarësisht datës së plotësimit të moshës për përfitim; si dhe për pensione kur kërkuesit i është caktuar pension nga sigurimet shoqërore përpara datës së  hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe janë në shqyrtim administrativ në Komisionin Rajonal të Ankimit dhe në Komisionin Qendror të Ankimit në  Institutin e Sigurimeve Shoqërore apo në proces gjykimi në gjykatë.

Ndërsa periudhat e punësimit të njohura me ligje të veçanta, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, vazhdojnë të njihen të tilla dhe nuk janë objekt trajtimi sipas këtij ligji.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat