Çfarë premtuan partitë në fushatë? - Nga rritja e pagave dhe pensioneve, te ulja e taksave!
Vota e 11 majit do të përcaktojë se cila parti politike do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme, teksa secila prej tyre ka prezantuar programe elektorale, një risi e rëndësishme në raport me zgjedhjet e kaluara. Nga rritja e pagave dhe pensioneve, te ulja e taksave premtimet ekonomike kanë qenë të shumta, ndonëse asnjë prej subjekteve politike nuk prezantoi një faturë të plotë dhe të qartë për realizimin e tyre.
PS: Pagë minimale 500 euro dhe paqe fiskale për bizneset
Partia Socialiste, që synon të marrë një mandat të katërt pas 12 viteve në pushtet nuk ka planifikuar ndryshim të taksimit të të ardhurave duke qëndruar te taksimi progresiv 0-23%, ndërsa premton rritje pagash e pensionesh. Paga mesatare në sektorin publik premtohet të shkojë në të paktën 1200 euro në Shqipërinë e vitit 2030, ndërsa paga mesatare duke përfshirë edhe sektorin privat do të jetë të paktën 1 mijë euro. Për mjekët është prezantuar ambicia për paga mesatare 2000 euro, ndërsa për mësuesit 1250 euro.
Po ashtu, në programin e PS parashikohet se duke filluar nga janari 2026, paga minimale do të jetë 500 euro. Për të kompensuar rritjen e kostove për sipërmarrjet premtohet lehtësia që gjatë 18 muajve pas pagës së parë të mos kenë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh.
Gjithashtu, ambicia e PS është që në 2030, pensioni mesatar të jetë 400 euro për të gjithë ata që kanë paguar sigurime të plota dhe për të gjithë të tjerët, të ketë një pension minimal që synohet të shkojë në 200 euro. Ndryshe nga rritja e pagës minimale, për rritjen e pensioneve programi nuk parashikon një vit konkret se kur parashikohet të realizohet.
Për Partinë Socialiste, deri në 2029, Shqipëria do të vazhdojë të ketë zero taksë për biznesin e vogël. I pandryshuar do të mbetet edhe regjimi i taksës 15% për biznesin e madh, por për mandatin e katërt premtohet paqja fiskale, sipas së cilës për një periudhë 3-vjeçare, për çdo fitim shtesë që biznesi do të deklarojë mbi normën e rritjes ekonomike, do të tatohet vetëm 5%.
Në mbështetje të biznesit premtohet edhe mobilizimi i 2 mld euro kredi dhe garanci nëpërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Zhvillimit, me qëllim rritjen e prodhimit vendas.
PD: Tatim i sheshtë 10% dhe vendosje e minimumit jetik 200 euro
Programi elektoral i Partisë Demokratike dhe koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” përqendrohet në reforma ekonomike, sociale dhe institucionale, me synimin për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për të ndërtuar një shtet funksional dhe të drejtë.
PD është angazhuar të vendosë një skemë të qartë të minimumit jetik 200 euro në muaj për qytetarët, e cila synon të garantojë një standard bazë jetese për shtresat më të varfra. Gjithashtu, premtohet rritje me 20% e pensioneve gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes.
Brenda 100 ditëve të para është premtuar gjithashtu rritja e pagës minimale në 500 euro dhe pagës mesatare në 1200 euro. Një tjetër angazhim i PD është paga jo më e ulët se 1500 euro për mësuesit.
Ndikim të menjëhershëm në rritjen e pagave sipas kësaj force politike do të ketë ndryshimi i taksimit të të ardhurave personale, duke rikthyer tatimin e sheshtë 10%, me përjashtim të 50 mijë lekëve të para për të cilat tatami do të jetë “zero”. Edhe për të ardhurat e tjera jo nga paga tatimi premtohen në 10%. Po ashtu, premtohet zero taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël.
Pjesë e ndërhyrjes së 100 ditëve të para përmes Paketës së Dhembshurisë është edhe ulja e çmimit të energjisë elektrike në 7 lekë/kWh.
Përveç tatimit mbi të ardhurat personale, PD parashikon reduktim të taksës së shitjes së pronës nga 15% që është aktualisht, në 2% si dhe ulje e çmimit të karburanteve përmes heqjes së taksave.
Ulja e TVSH-së, nga 20% në 15% është gjithashtu në angazhim i kësaj force politike.
Paralelisht, në programin e sipërmarrjes janë disa kategori që do të kenë trajtim të veçantë, sikurse janë të rinjtë, gratë dhe diaspora. Pjesë e Programit janë edhe politikat e strehimit dhe rritjes së lindshmërisë për çiftet e reja, nën emrin “Një çati për çdo cift”.
Për të kompensuar uljen e taksave premtohet ulje e informalitetit në ekonomi në 30%.
Shqipëria Bëhet: Jo pensione nën 20 mijë lekë
Për partinë Shqipëria Bëhet, pjesë e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” me drejtues Adriatik Lapaj çdo pension, ndihmë ekonomike, pagesë për jetimët, apo pagesë paaftësie nuk do të jetë më e vogël se 20 000 lekë në muaj.
Po ashtu, pensionet e të gjitha kategorive që janë nën vlerën 20 mijë lekë do të rriten në këtë vlerë, ndërsa pensionet që aktualisht janë mbi 20 000 lekë do të rriten me nga 2 500 lekë në vit për 4 vitet e qeverisjes.
Sa i takon politikës fiskale, qeverisja e kësaj partie do të jetë e bazuar në taksimin e sheshtë 10%, ndërsa për të dy apo më shumë punësuarit nuk do të ketë tatim të shumëfishtë. Tatimi do të jetë sa 10% e totalit nga të gjitha burimet e të ardhurave.
Gjithashtu, biznesi i vogël me xhiro 0 – 20 000 000 lekë do të ketë “zero” tatim mbi fitimin. TVSH-në do e paguajnë të gjithë, për të gjitha produktet, por deri në 10 % të saj do u kthehet qytetarëve në fund të vitit.
Një tjetër pikë e programit të kësaj partie është “Shtëpia ime, atdheu im”, që do të jetë i përfitueshëm vetëm një herë në jetë për çdo qytetar që lidh martesë për herë të parë. Ky program do të japë mundësinë e kreditimit 100% të blerjes së një apartamenti me sipërfaqe deri 80 m2 për çiftet e reja me interes fiks 1%, pa pasur nevojën e vendosjes së kolateralit.
Lëvizja BASHKË: Pagë minimale 60 mijë lekë, taksim progresiv 0 - 35%
Programi ekonomik i partisë Lëvizja Bashkë, e drejtuar nga Arlind Qorri parashikon vendosjen e minimumit jetik, rritjen e pensioneve, ndryshimin e tatimit mbi të ardhurat personale, si dhe rritje të dividentit.
Minimumi jetik i kësaj partie propozhet në 21 168 lekë, duke sugjeruar rritjen e pensioneve dhe pagesave të tjera, në këtë vlerë. Rritja e pensioneve të tjera, që sot janë mbi nivelin e minimumit jetik, do bëhet në një masë më të vogël duke ndjekur logjikën e rritjes së pagës mesatare dhe çmimeve.
Niveli i pensionit mesatar premtohet në 33 mijë lekë.
Taksimi mbi pagat për Lëvizjen Bashkë do të jetë progresiv, nga 0 – 35%. Sipas skemës së propozuar, pagat deri në 60 mijë lekë, që është edhe vlera e pagës minimale të propozuar, përjashtohen nga tatimi; nga 100 001 - 200 mijë lekë, tatimi do jetë 15%; nga 200 001 - 400 000 lekë, tatimi do jetë 25%, ndërsa nga 400 001 e sipër tatimi mbi të ardhuart personale propozohet në 35%.
Për të rritur të ardhurat nga kontributet propozohet heqja e tavanit të pagës maksimale për efeket kontributesh. Po ashtu, kjo parti parashikon rritjen e dividentit nga 8%, që është aktualisht në 15%, si dhe taksimi progresiv i apartamenteve të treta, të katërta e më tej.
Partia Mundësia: Taksë e sheshtë 8%
Programi ekonomik i partisë “Mundësia” që drejtohet nga Agron Shehaj premton uljen e taksave dhe aplikimin e taksës së sheshtë në nivelin 8%, për tatimin e të ardhurave.
Mundësia synon gjithashtu dhënien e kredive të buta për banesë dhe biznes të vogël për të rinjtë nën 30 vjeç, subvencione për profesionet e lira dhe startup-et, si dhe praktika pune për studentët. Ajo gjithashtu premton rritjen e buxhetit të shëndetësisë, bashkëpunime strategjike me sektorin privat në këtë sektor, si dhe mbështetjen e sigurimeve shëndetësore private. Kjo parti propozon adoptimin e euros si monedhë, në vend të lekut.
Koalicioni Euroatlantik: Pension minimal 25 mijë lekë
Zotimet kryesore të Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës lidhen me mbështetjen e familjeve të reja, si dhe rritjen e pensioneve. Kjo parti propozon rritjen e pensionit minimal në 25 mijë lekë, kompensim për energjinë për pensionet nën 30 mijë lekë dhe rimbursim të plotë të ilaçeve për të moshuarit.
Pensioni mesatar parashikohet në shkojë në 450 euro, brenda mandatit qeverisës. Po ashtu, parashikon nga 2000 euro mbështetje për fëmijën e parë dhe të dytë dhe 20 mijë euro për familjet që sjellin në jetë fëmijën e tretë. Një tjetër pikë e programit është edhe vendosja e pensioneve të posaçme për ish-të përndjekurit politikë.
Programi i kësaj partie parashikon taksimin e sheshtë, në nivelin 9%, ndërsa për biznesin me xhiro deri në 14 mln lekë premton zero tatim.
Sondazh

Manja nga Lezha: Vota është respekt për veten dhe atdheun
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka ushtruar të drejtën e votës para pak çastesh. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për një përfshirje masive nga qyteti i......

Kush janë kandidatët për kryeministër?
Fushata për zgjedhjet e 11 majit ka sjellë një kombinim të figurave të njohura ndër vite, si dhe të aktorëve të rinj që synojnë të ofrojnë alternativa ndaj......

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaratë për media: Votoni sa më shumë, votoni për të ardhmen tuaj
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaratë për media: Të gjithë qytetarët që kanë votuar kanë kryer një detyrim madhor ndaj familjes, vetes,......

Barazia gjinore dhe zgjedhjet në Shqipëri!
Që nga viti 2008, legjislacioni shqiptar garanton të paktën 30 për qind përfaqësim të gjinisë më pak të përfaqësuar në pozicione vendimmarrëse politike dhe......

Voton Agron Shehaj: Sot dëgjohet zëri i popullit, votoni për ndryshimin
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ushtroi të drejtën e votës këtë mëngjes, duke përcjellë një mesazh për të gjithë qytetarët. I shoqëruar nga......

Aspektet financiare të fushatës zgjedhore!
Aspektet financiare të fushatës zgjedhore rregullohen me Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Partitë Politike. Ky i fundit rregullon edhe aspekte të përgjithshme......

Celibashi: Deri tani 185.679 zarfe nga diaspora, pritet të arrijnë 200 mijë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka treguar disa të dhëna në lidhje me procesin e votimit nga diaspora. Ai njoftoi në një......

KQZ: Deri në orën 18:00 kanë votuar 40,94% e qytetarëve - Vijon pjesëmarrja më e lartë në Dibër dhe Tiranë
KQZ: Deri në orën 18:00 kanë votuar 40,94% e qytetarëve -Vijon pjesëmarrja më e lartë në Dibër dhe TiranëKomisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të......