Europa Postuar më 13 Shkurt 2023, 10:38

Ekonomia e BE-së do të shmangë 'ngushtë' një recesion ndërsa kulmi i inflacionit po kalon!

Nga SCAN TV
Ekonomia e BE-së do të shmangë 'ngushtë' një

Ekonomia e Bashkimit Europian është e vendosur të shmangë "ngushtë" një recesion shumë të frikshëm këtë vit, pasi inflacioni lehtësohet dhe çmimet e gazit vazhdojnë rënien e tyre të madhe, duke hapur rrugën për një performancë ekonomike më të mirë se sa pritej, tha Komisioni Europian në raportin-parashikimin e fundit.

Raporti, i publikuar të hënën në mëngjes, ofron një dritëz lajmesh të mira mes një peizazhi ende shumë të pasigurt dhe sfidues që mbetet thelbësisht i varur nga hapi i ardhshëm i Rusisë në pushtimin e saj brutal të Ukrainës, i cili po i afrohet njëvjetorit të tij.

Megjithatë, Komisioni Europian është në gjendje të parashikojë se BE-ja në tërësi do të shohë një normë rritjeje prej 0.8% në vitin 2023 nga 0.3% në parashikimin e mëparshëm. Ndërkohë eurozona do të zgjerohet me 0.9% nga 0.3% e parashikuar në vjeshtë. "Ndërsa pasiguria rreth parashikimit mbetet e lartë, rreziqet ndaj rritjes janë gjerësisht të balancuara," thotë raporti.

Ndër 27 shtetet anëtare, Suedia është e vetmja që tregon një numër negativ për këtë vit (–0.8%) ndërsa pjesa tjetër paraqet rritje të kufizuar por pozitive. Gjermania dhe Italia, dy vende që ishin shumë të varura nga lëndët djegëse fosile ruse dhe që pritet gjerësisht të bien në një recesion të thellë, kanë parashikuar norma prej 0.2% dhe 0.8%, respektivisht.

Një recesion teknik përkufizohet si dy të katërtat e tkurrjes ekonomike, diçka që mund të ndodhë ende në disa vende edhe nëse numri përfundimtar për vitin 2023 përfundon të jetë pozitiv. Nga ana e tyre, Franca do të rritet me 0.6% ndërsa Spanja do të rritet me 1.4% përgjatë 2023. Për sa i përket inflacionit, Komisioni Europian beson se kulmi i rekordeve ka kaluar dhe çmimet do të ndjekin gradualisht prirjen rënëse që filloi në fund të vitit të kaluar.

Inflacioni në eurozonë parashikohet të bjerë në 5.6% në 2023 dhe në 2.5% në 2024, duke e afruar shifrën me objektivin vjetor prej 2% të vendosur nga Banka Qendrore Europiane.

Megjithatë, paralajmëron ekzekutivi, inflacioni bazë, i cili përjashton çmimet e paqëndrueshme të energjisë dhe ushqimeve, "ende nuk ka arritur kulmin". “Rreziqet ndaj inflacionit mbeten të lidhura kryesisht me zhvillimet në tregjet e energjisë, duke pasqyruar disa nga rreziqet e identifikuara për rritjen”, thuhet në raport.

Parashikimi i dimrit i Komisionit Europian bazohet në një sërë parashikimesh që javët e fundit kanë përmirësuar perspektivën për bllokun, duke përfshirë ato nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, J.P. Morgan dhe Goldman Sachs, që kanë larguar kërcënimin e recesionit.

Edel Strazimiri / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat