Bota Postuar më 12 Dhjetor 2023, 19:06

Ari ngjitet sërish në mbi 2,000 USD - Investitorët presin bankat qendrore dhe inflacionin në SHBA

Nga SCAN TV
Ari ngjitet sërish në mbi 2,000 USD -  Investitorët presin bankat

Ari po qëndron në rritje të lehtë dhe po tregtohet pranë 2,000 dollarëve, ndërsa në sesionin e kaluar preku nivelin më të ulët në 3 javët e fundit. Megjithatë, volumi tregtar është i ulët, pasi investitorët po presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA dhe takimin e Rezervës Federale, që fillon sot dhe përfundon të mërkurën në mbrëmje. Ari po tregtohet pranë 2,000 dollarëve për onz, ndërsa në sesionin e kaluar ra deri në 1986 dollarë.

Pjesërisht, rritja e tregut të metaleve të çmuara është ndikuar edhe nga dobësimi i dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare. Analistët shprehen se FED mund të mos jetë aq agresive me uljen e interesave, për shkak se të dhënat mbi punësimin për nëntorin në SHBA rezultuan mjaft pozitive. Tregjet vlerësojnë 77% shanse se ulja e parë e normave të interesit do të vijë në muajin maj të vitit të ardhshëm.

E gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar te Indeksi i Çmimeve të Konsumit në SHBA, që do të japë një panoramë më të qartë mbi vendimet që do të marrë Rezerva Federale. Ekonomistët e anketuar nga Reuters parashikojnë inflacioni do të jetë i pandryshuar në nëntor, në 3.1%, ndërsa inflacioni bazë pritet të rezultojë në rritje vjetore prej 4%.

Edhe Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë do të vendosin mbi politikat monetare të enjten. Ndër metalet e tjera, argjendi po tregtohet pranë 23.2 dollarëve për onz, ndërsa platini po tregtohet në rreth 920 dollarë për onz.

SCAN

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat