Europa Postuar më 5 Dhjetor 2023, 10:14

Turqia “sulmon” tregjet për të rikthyer besimin - Promovim i stimujve tatimorë për hyrjet e kapitalit të huaj

Nga SCAN TV
Turqia “sulmon” tregjet për të rikthyer besimin - Promovim

Një plan strategjik për të rifituar besimin e tregut dhe për të rikthyer më shumë investitorë në vend duket se do të zbatohet pa ndërprerje nga Turqia pas zgjedhjeve të majit.

Javën e kaluar banka qendrore e Turqisë rriti përsëri normat e interesit, këtë herë me 500 pikë bazë në 40%, duke e bërë atë rritjen e gjashtë të tillë radhazi që ka katërfishuar koston e huamarrjes nga 8.5%. Normat reale të interesit janë aktualisht në një territor pozitiv në raport me inflacionin e pritur në fund të vitit 2024 pasi banka qendrore vlerëson se indeksi i çmimeve do të jetë 36% deri atëherë. Në muajin tetor, inflacioni ishte në nivelin 61.36%.

Ky është një ndryshim qëndrimi i presidentit Recep Tayyip Erdogan, i cili deri para zgjedhjeve të përgjithshme e deklaronte veten kundërshtar të politikës së rreptë fiskale, duke mbajtur një qëndrim jokonvencional ndaj inflacionit të lartë.

Ndërkohë, ministri i financave Mehmet Simsek javën e kaluar njoftoi stimuj të rinj për të inkurajuar hyrjet valutore në Turqi si pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të stabilizuar lirën, për të frenuar inflacionin dhe për të rivendosur besimin e investitorëve. Kështu u vendosën uljet e taksave për individët dhe kompanitë që kanë të ardhura jashtë vendit, me kusht që këto fitime të transferohen në Turqi.

Ulja e pasigurisë pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të majit krijoi kushte që mjetet valutore të mbajtura jashtë apo “nën jastëk” të kthehen në ekonomi. Ky besim u rrit kur Mehmet Simsek, një ekonomist i respektuar nga investitorët ndërkombëtarë, mori frenat e ekonomisë në qershor. Sipas të dhënave të bankës qendrore flukse të tilla hyrëse arritën në rreth 16 miliardë dollarë në katër muajt nga qershori deri në shtator. Gjatë së njëjtës periudhë, investitorët e huaj derdhën rreth 5 miliardë dollarë në aksionet dhe obligacionet e qeverisë turke, ndërsa flukset hyrëse në formën e depozitave dhe kredive bankare arritën në rreth 9.5 miliardë dollarë.

Investimet e huaja direkte ishin hallka më e dobët. Ndërsa shitjet e pronave sollën 930 milionë dollarë, investimet aktuale direkte panë një dalje prej rreth 630 milionë dollarë. Flukset hyrëse totale të huaja arritën në afro 15 miliardë dollarë në katër muajt e parë nën drejtimin e ministrisë së financave nga Simsek, me numrin total që arriti në 31 miliardë dollarë, duke përfshirë të ashtuquajturat hyrje nga burime të panjohura.

Kjo shumë mbuloi lehtësisht deficitin e llogarisë korente prej 3.4 miliardë dollarësh në periudhën qershor-shtator, duke çuar gjithashtu në një rritje të rezervave valutore të vendit me 27 miliardë dollarë.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Amerika 22 Prill Kristi Ceta

A mundet Trump ta shkarkojë Powell nga Fed?

Presidenti Donald Trump ka vazhduar sulmin e tij verbal ndaj Kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell, për shkak të refuzimit të Fed për të ulur më tej......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Amerika 22 Prill Kristi Ceta

A mundet Trump ta shkarkojë Powell nga Fed?

Presidenti Donald Trump ka vazhduar sulmin e tij verbal ndaj Kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell, për shkak të refuzimit të Fed për të ulur më tej......