Bota Postuar më 26 Maj 2022, 09:45

Nafta, e qëndrueshme në mbi 114 dollarë - BE, pranë sanksioneve ndaj Rusisë. Hungaria kërkon 750 milionë euro për të hequr veton

Nga SCAN TV

Nafta po qëndron në rritje të lehtë edhe në sesionin e sotëm, me Brentin e Londrës që po tregtohet në mbi 114 dollarë për fuçi. Çmimet vijojnë të mbështeten nga parashikimet për rimëkëmbjen e kërkesës, sidomos nga SHBA dhe Kina, por edhe si pasojë e ofertës së shtrënguar.

Gjithashtu, edhe Bashkimi Europian po përpiqet të bindë Hungarinë për të mos bllokuar embargon ndaj naftës ruse, si pjesë e paketës së re të sanksioneve. Rusia është eksportuesi i dytë më i madh i naftës në botë, por pas pushtimit të Ukrainës vendet perëndimore po përpiqen të shmangin blerjet nga Moska. Ndërkohë, rënia më e madhe se parashikimet e rezervave të naftës në SHBA, gjatë javës që u mbyll më 20 maj, ka mbështetur çmimet.

Analistët shprehen se tendenca e rezervave do të jetë në rënie, sidomos pasi BE të vendosë ndalimin e blerjeve nga Rusia. Fokusi i tregjeve do të jetë edhe te samiti i Bashkimit Europian, që zhvillohet javën e ardhshme, ku pritet të arrihet edhe një marrëveshje mbi sanksionet ndaj Rusisë. Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, deklaroi të mërkurën se është besimplotë se do të arrihet një marrveshje paraprake përpara se samiti të fillojë më 30 maj.

Por, Hungaria mbetet një pengesë e madhe për të arritur unanimitetin e nevojshëm për miratimin e sanksioneve të BE ndaj Rusisë. Hungaria po kërkon rreth 750 milionë euro për të përmirësuar rafineritë e saj dhe të lidhet me një tubacion nga Kroacia për të shmangur varësinë nga nafta e Rusisë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat