Shqipëria Postuar më 1 Prill 2025, 12:29

Sa frytdhënëse ishte ekonomia shqiptare në 2024? - Raporti vjetor i BSH/ U rritën punësimi dhe pagat. Më shumë të ardhura për familjet

Nga Ledina Elezi

Sa frytdhënëse ishte ekonomia shqiptare në 2024? - Raporti vjetor

Në vitin që lamë pas, rritja ekonomike mbeti në nivele të larta, rreth nivelit 4%, duke u shoqëruar edhe me një rritje të punësimit dhe pagave. Banka e Shqipërisë ka depozituar pranë Kuvendit raportin e saj për vitin 2024, duke e vlerësuar si pozitiv për ekonominë.

Rritja e punësimit dhe pagave ka shtuar të ardhurat për familjet shqiptare, veçanërisht në një mjedis me inflacion të ulët. Në 2024, inflacioni zbriti në një nivel mesatar prej 2.2%, duke shënuar një rënie të ndjeshme nga nivelet e larta prej 4.8% të një viti më parë. Kjo rënie ndikoi pozitivisht në uljen e kostos së jetesës dhe në përmirësimin e fuqisë blerëse të të ardhurave dhe kursimeve të familjeve shqiptare.

Nga ana tjetër, rënia e borxhit të jashtëm në nivelin 40.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), apo rritja e rezervave valutore të Shqipërisë në nivelin 6.3 miliardë euro, përmirësoi ndjeshëm aftësinë paguese të vendit. Gjatë 2024, deficiti buxhetor u reduktua në 0.7% të PBB-së dhe borxhi publik në 53.8% të PBB-së.

Për sa i përket infrastrukturës së pagesave, numri i pagesave elektronike të kryera nëpërmjet bankave u rrit me 24.4% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, treguesi i ‘pagesave për frymë’, i synuar në 10 pagesa për frymë, arriti në 23 pagesa për frymë në fund të vitit. Ky përparim pasqyron tendencat në rritje të digjitalizimit të shërbimeve financiare, duke lehtësuar transaksionet elektronike dhe përshpejtuar përfshirjen financiare të individëve dhe bizneseve.

Vitin e kaluar, stoku i rezervës valutore bruto u rrit në 6.2 miliardë euro nga 5.8 miliardë që ishte më parë.

Ndërkohë, edhe cilësia e portofolit të kredisë rezulton të jetë rritur. Rezultati financiar i sistemit rezultoi 37.4 miliardë lekë, me një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2023. Zgjerimi i aktiveve të sektorit bankar pasqyroi kryesisht rritjen e kredisë dhe investimeve në letrat me vlerë, ndërsa rritja e detyrimeve pasqyroi tërësisht zgjerimin e depozitave me rreth 5% në terma vjetorë.

Kostot e kreditimit ranë dhe kredia u rrit në 15.7% nga 9.7% një vit më parë, e mbështetur gjithashtu nga rritja e kërkesës dhe qasja pozitive e bankave ndaj kreditimit. Rritja e kredisë ka financuar nevojat për konsum dhe për investime të familjeve dhe bizneseve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat