Humbësit më të mëdhenj të “Trumponomics” - Europa, Kina dhe Meksika do të goditen më shumë nga tarifat e Trump
(The Economist)
Në kabinetet e qeverive, në diskutimet e bordeve apo në misionet diplomatike, ka qenë një temë diskutimesh që ka mbizotëruar mbi të tjerat. Fitorja dërrmuese e Donald Trump dhe e Partisë Republikane në zgjedhjet amerikane do t'i japë fuqi të mëdha një presidenti impulsiv me besime ekonomike jo normale dhe një qasje luftarake ndaj negociatave. Të mëdhenjtë në qeveri dhe biznes kudo po përpiqen të analizojnë pasojat, për Amerikën dhe për pjesën tjetër të botës.
Amerika, ekonomia më e madhe në botë, emeton monedhën rezervë globale dhe është shtëpia e bankave dhe firmave më të mëdha të planetit. Shkalla, thellësia dhe ndërthurja e saj me ekonominë globale do të thotë se edhe ndryshimet e vogla të politikave mund të rezonojnë shumë përtej brigjeve të saj. Trump ka premtuar të riparojë shtyllat kryesore të ekonomisë amerikane, nga tregtia dhe rregullimi e deri te emigracioni. Politikat e tij synojnë të riformësojnë flukset e mallrave, kapitalit dhe punës që ujisin ekonominë botërore. Kjo do të krijojë disa fitues dhe shumë humbës, në të gjithë globin.
Le ta nisim me fluksin e mallrave. Trump është thellësisht dyshues për tregtinë. “Fjala më e bukur në fjalor është tarifa”, tha ai përpara një auditori biznesi në tetor. Trump ka mbrojtur një mur universal proteksionist, me tarifa 10-20% për të gjitha mallrat e importuara, përveç tarifave shumë më të larta që synojnë një pakicë.
Megjithatë, propozimet mund të mos zbatohen plotësisht. “Ditën e parë ata do të parashtrojnë diçka që do të tërheqë vëmendjen e të gjithëve, por nuk do të aplikojnë menjëherë tarifa universale, sepse kjo do të çonte në shkatërrimin e tregjeve të aksioneve”, shprehet Sarah Bianchi, një ish-përfaqësuese e tregtisë së Shteteve të Bashkuara.
Trump, pjesërisht, mund të përdorë kërcënime tarifore për të nxjerrë lëshime nga miqtë dhe armiqtë. Megjithatë, zbatimi i vetëm një pjese të asaj që ai ka propozuar do të shënonte rritjen më të madhe të tarifave të Amerikës që nga vitet 1930.
Kë mund të godasë më fort administrata e re amerikane? Trump dhe këshilltarët e tij janë të fiksuar pas balancave dypalëshe. Çdo vend që regjistron një suficit të madh tregtar me Amerikën, mendojnë ata, është duke mashtruar Amerikën. Dhe lista e vendeve që kanë një suficit tregtar me SHBA është e gjatë. Presidenti i zgjedhur ka lënë të kuptohet se do të vendosë një tarifë prej 60% për të gjitha mallrat kineze, pesë herë më shumë se niveli mesatar aktual. Analistët mendojnë se eksportet e Kinës në Amerikë mund të përgjysmohen si rezultat i këtij vendimi, duke rrëzuar 1 pikë përqindje nga PBB-ja e Kinës, mes rritjes tashmë të vakët. Ndikimi do të kufizohej nga fakti se tarifat origjinale të Trump, që u mbajtën në fuqi edhe nga Joe Biden, tashmë kanë bërë që eksportet e Kinës në Amerikë të pakësohen.
Trump ka kërcënuar gjithashtu me tarifa prej 25% për shumicën e mallrave meksikane, ndërsa makinat do ti nënshtrohen taksave edhe më të larta. Kjo do të dëmtonte keq Meksikën. Vlera e eksporteve të mallrave të vendit në Amerikë është e barabartë me 27% të PBB-së, krahasuar me më pak se 3% për Kinën. Meksika gjithashtu ka më pak alternativa. Më shumë se katër të pestat e eksporteve të saj shkojnë tek fqinji verior.
Bashkimi Europian ka gjithashtu arsye për t'u shqetësuar. Blloku ka një surplus të tregtisë të mallrave prej rreth 200 miliardë dollarë me Amerikën. Banka Goldman Sachs parashikon se tarifat e reja mund të zvogëlojnë 0.5% të PBB-së të Europës, me Gjermaninë, ekonominë më të madhe të bllokut, që do të marrë goditjen më të rëndë. Shumë vende të tjera mund të gjenden në vijën e parë të zjarrit. Suficiti tregtar i Vietnamit me Amerikën arriti në 100 miliardë dollarë vitin e kaluar. Edhe suficiti i Kanadasë, Indisë, Japonisë, Koresë së Jugut, Zvicrës, Tajvanit dhe Tajlandës arrijnë në dhjetëra miliarda dollarë.
Nëse do të realizohej një cunami tarifash, pak vende do të përparonin. Por disa mund të fitojnë avantazhe relative. Aleatët pa teprica të dukshme tregtare me Amerikën mund të jenë në gjendje të sigurojnë përjashtime dhe një marrëveshje e tillë thuhet se është në shqyrtim për Britaninë. Vendet e tjera mund të përfitojnë thjesht duke mos qenë Kina. Disa firma shumëkombëshe do të përshpejtojnë përpjekjet për zhvendosje. Steve Madden, një firmë amerikane e modës, njoftoi se do të zhvendoste linjat e saj kineze të prodhimit në vende të tjera. Black & Decker, një prodhues veglash, ka thënë se do të bëjë të njëjtën gjë nëse Trump vazhdon me planin për vendosjen e tarifave. Firmat që largohen nga Kina mund të tundohen të zhvendosen në Meksikë dhe Azinë Juglindore, pavarësisht se këto vende janë objektivë të mundshëm për tarifa më të larta.
Rishpërndarja globale e kapitalit, zhvendosja e dytë e madhe, është tashmë duke ndodhur, edhe pse zoti Trump do të inaugurohet pas rreth dy muajsh. Investitorët presin që kombinimi i tij i propozuar i shkurtimeve të taksave dhe derregullimit, të rrisë fitimet e korporatave vendase. S&P 500, që është indeksi i firmave të mëdha amerikane, arriti nivelet më të larta historike nga data 6 deri më 11 nëntor, ndërsa aksionet në pjesën tjetër të botës ranë me rreth 2%. “Tahsmë jemi në një përzierje të performancës së fortë të ekonomisë amerikane, dobësisë në pjesën tjetër të botës dhe mundësisë së disa politikave që do të mbështesin më tej Shtetet e Bashkuara dhe tregjet financiare”, thotë Eswar Prasad nga Universiteti Cornell. “Është gjithnjë e më e vështirë për menaxherët e fondeve që të bëjnë diversifikimin larg tregut amerikan,” shton ai.
Derregullimi gjithashtu mund t'u japë firmave amerikane një avantazh kostoje ndaj atyre të huaja. Trump ka premtuar të ulë rregullat mjedisore duke ulur kostot e energjisë, një shqetësim për firmat europiane, të cilat tashmë vuajnë nga çmimet më të larta të energjisë elektrike. “Nëse SHBA braktis rregullat e klimës dhe ne vazhdojmë kursin tonë, ne do të humbasim plotësisht në prodhim”, thotë Luis Garicano, një ish-deputet i Parlamentit Europian, i cili tani është profesor në London School of Economics.
Investitorët gjithashtu janë joshur nga monedha amerikane. Dollari është rritur me 3% kundrejt shportës me 6 valutat e huaja që nga 5 nëntori. Fitorja e pastër e republikanëve, duke përfshirë shumicën në të dy dhomat e Kongresit, ka premisa që ta mbështesë më tej dollarin. Lehtësitë fiskale ishin të mundshme pavarësisht se kush fitonte zgjedhjet, por mungesa e bllokimit politik do të lejojë që deficitet të zgjerohen edhe më shumë. E shoqëruar me presionet inflacioniste të tarifave më të larta dhe tregjeve më të shtrënguara të punës, kjo mund ta detyrojë Rezervën Federale të mbajë normat e interesit më të larta për më gjatë, duke e mbajtur dollarin e fortë.
Ky është një lajm i keq edhe për vendet më të varfra. Një dollar më i fuqishëm rrit vlerën e importeve të tyre, shumë prej të cilave vlerësohen në monedhën e gjelbër. Ata që kanë marrë hua në dollarë do ta shohin vlerën e borxheve të tyre të rritet. Hulumtimi i FMN-së i publikuar vitin e kaluar sugjeron se çdo rritje prej 10% në vlerën e dollarit redukton prodhimin ekonomik në tregjet në zhvillim me rreth 1.9%, pas gjashtë muajsh dhe se këto efekte mbeten për dy vjet e gjysmë. Normat më të larta të interesit në Amerikë e bëjnë pjesën tjetër të botës më pak tërheqëse. Kapitali rrjedh nga tregjet në zhvillim, duke i detyruar bankat e tyre qendrore të rrisin normat për të mbështetur monedhat tashmë të dobësuara nga përkeqësimi i bilanceve tregtare. Kjo redukton huadhënien dhe investimet pikërisht kur këto ekonomi kanë nevojë për mbështetje.
Politikat e zotit Trump pritet gjithashtu të riformësojnë flukset e emigracionit, shqetësimi i tretë i madh. Ai ka premtuar vazhdimisht se do të dëbojë miliona emigrantë të paligjshëm. Meksika, përsëri, do të vuante më shumë se çdo ekonomi tjetër e madhe. Riintegrimi i një mase të madhe punëtorësh në tregun e saj të punës mund të marrë vite, duke shkaktuar rritje të papunësisë. Dëbimet masive do të dëmtonin gjithashtu remitancat nga Amerika në Meksikë, që llogariten në rreth 60 miliardë dollarë vitin e kaluar, duke tejkaluar shumën e investimeve të huaja direkte që mori Meksika.
Deportimet gjithashtu mund të gjymtojnë ekonomitë në të gjithë Amerikën qendrore dhe Karaibe. Në vitin 2021, El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi morën midis 6 dhe 14 miliardë dollarë remitanca nga Amerika, që përbënin midis 16 dhe 23% të PBB-së së tyre, një numër që është rritur vazhdimisht vitet e fundit ndërsa emigrimi ndër-kontinental është rritur.
Politika e administratës së ardhshme për emigracion me aftësi të mëdha është më pak e qartë. Në qershor, Trump sugjeroi që studentët që diplomohen nga universitetet amerikane duhet të kenë të drejtë për leje qëndrimi të përhershme apo “green card”. Por, gjatë kohës që ai ishte president, administrata e tij e kufizoi emigracionin edhe për punëtorët me kualifikim të lartë. Nëse kjo ndodh përsëri, pjesët e tjera të botës mund të përfitojnë. Emigrantët e kualifikuar priren të jenë shumë të lëvizshëm. Nëse Amerika nuk i mirëpret më, ata mund të dynden në vende të tjera të pasura, anglishtfolëse, si Australia dhe Britania. Një hulumtim i Saerom Lee dhe Britta Glennon nga Universiteti i Pensilvanisë, sugjeron se programi kanadez i vizave për të ngritur një “startup”, i nisur në vitin 2013, çoi në një rritje prej 69% në tetë vitet në vijim të numrit të emigrantëve që u zhvendosën nga Amerika në Kanada për të krijuar kompani.
Politikat e sakta të Trump nuk do të jenë të qarta për muaj me radhë, por kush do të humbasë më shumë prej tyre është tashmë e qartë. Përballë barrierave të larta në të paktën dy fronte – tregtia dhe emigrimi – Meksika duket se po përballet me një dhimbje të madhe ekonomike. Administrata e re do të hedhë më shumë rërë në ingranazhet e makinës së eksportit të Kinës, duke komplikuar problemet e brendshme të vendit. Dhe në krye të tarifave, hendeku transatlantik në rritje për sa i përket barrës rregullatorë, mund të dëmtojë ekonominë europiane.
Lista e fituesve, nga ana tjetër, ka të ngjarë të jetë e shkurtër. Nëse ata i luajnë letrat e tyre si duhet, mund të përfshihen aleatë të ngushtë si Britania dhe Australia. Vendet që nxjerrin shumë naftë, të cilat dikur kishin suficit të madh tregtar me Amerikën, ndoshta do të mbrohen nga tarifat sepse, falë rritjes së prodhimit të naftës argjilore, SHBA ka qenë një eksportues neto i lëndëve të para që nga viti 2021.
Nëse mund të qëndrojnë jashtë vëmendjes së zotit Trump, vendet më të vogla aziatike të fokusuara te eksportet mund të përfitojnë nga rishpërndarja e prodhimit larg Kinës, siç kanë bërë në vitet e fundit.
Por, ekzistojnë dy burime të vazhdueshme të pasigurisë. Njëra është paparashikueshmëria e natyrshme e politikëbërjes së zotit Trump. Oborrtarët e tij variojnë nga manjatët e Silicon Valley që duan pak kufizime për emigracionin e kualifikuar, te ata që janë pjesë e kampit “Amerika e Para”, e deri te merkantilistët e prirur për të ulur importet me çdo kusht. Trump mund të përdorë tarifat e tij në stilin e Kumbarit, duke u dhënë përjashtime vendeve dhe kompanive, nëse i përulen vullnetit të tij. Shtëpia e Bardhë do të bëhet një qendër për lobistët. Favorizimet e veçanta mund të përfundojnë duke gërryer konkurrencën dhe duke dëmtuar reputacionin e Amerikës.
Burimi tjetër i pasigurisë është se si qeveritë në mbarë botën reagojnë ndaj kërcënimeve dhe ndëshkimeve të administratës amerikane. Në një botë me shumë zero për tregtinë, tundimi për të vendosur tarifa hakmarrëse dhe masa të tjera proteksioniste do të rritet. Shumë nga partnerët tregtarë të Amerikës thjesht do të shpresojnë të shmangin zemërimin e Trump. Një përgjigje më e guximshme, nëse më pak e mundshme, do të ishte bashkimi. Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor, një marrëveshje tregtare midis kombeve në Amerikë dhe Azi, vazhdoi pasi Trump u largua nga detyra gjatë mandatit të parë. Marrëveshjet më ambicioze mund të mbajnë gjallë flakën e tregtisë ndërkombëtare, duke pritur që Amerika të kthehet në tryezë.
Sondazh
Don’t worry, I’m home!’, Rama takim me emigrantët shqiptarë në Londër
Kryeministri Edi Rama zhvillon takimin me emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe. Salla “The Cooper Box, Queen Elizabeth Olympic Parc”, ishte e veshur kuq......
Intervista për REL, Kumbaro: Shqipëria synon turizëm elitar me gjithë sfidat
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se turizmi është kthyer në industri dhe......
Pushime në hapësirë dhe pleqëri në Mars: Planet e SpaceX për të ardhmen e kompanisë!
Ndërsa themeluesi i SpaceX, Elon Musk mund të jetë i vdekur, i vendosur në një ditë duke jetuar në një planet tjetër, shefi operativ i firmës thotë se ajo ka......
Qendrat që fuqizojnë inteligjencën artificiale përdorin më shumë energji elektrike sesa qytete të tëra!
Nevojat për energji të inteligjencës artificiale dhe kompjuterit cloud po rriten aq shumë saqë kampuset individuale të qendrave të të dhënave së shpejti mund......
Shqipëria 2030, Rama takon sot në Londër emigrantët shqiptarë
Kryeministri Edi Rama zhvillon sot në Londër një takim me emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe. Takimi organizohet në kuadër të......
Shqipëria turistike në mediat indiane, “Economic Times”: Vendi ideal për të vizituar në 2025
Mediat indiane e vendosin Shqipërinë mes vendeve më ideale të Europës për tu vizituar në 2025. Revista “The Economic Times” e përfshin vendin tonë në listën......
Moody's i jep Qipros kategorinë e investimeve 'A' për herë të parë në 13 vjet!
Moody's i ka dhënë Republikës së Qipros një përmirësim me dy shkallë në vlerësimin e saj të kreditit, duke e rritur atë nga Baa2 në A3 dhe ka ndryshuar......
Amazon do të investojë 4 miliardë dollarë të tjerë në Anthropic, rivali më i madh i OpenAI!
Amazon njoftoi të premten se do të investojë 4 miliardë dollarë shtesë në Anthropic, startup-in e inteligjencës artificiale i themeluar nga ish-drejtues të......