Bota Postuar më 13 Shtator 2025, 11:39

Ukraina, prodhim armësh me SHBA dhe Gjermaninë - Kievi kërkon mbështetjen e partnerëve për të zgjeruar industrinë vendase

Nga Kristi Ceta

Ukraina, prodhim armësh me SHBA dhe Gjermaninë - Kievi kërkon

Ukraina u ka kërkuar partnerëve perëndimorë mbështetje për zgjerimin e industrisë vendase të prodhimit të armëve. Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë ofruar plane konkrete për prodhim të përbashkët të pajisjeve ushtarake.

Kompania gjermane e armatimeve Rheinmetall planifikon të prodhojë predha artilerie për forcat e armatosura ukrainase në një fabrikë të re në Ukrainë. Lajmi u njoftua nga Ministria ukrainase e Mbrojtjes. "Për ndërtimin e një fabrike të re dhe prodhimin e predhave Rheinmetall u caktua një parcelë toke në një rajon të sigurt të Ukrainës", sqaruan burime nga ministria.

Kievi po u kërkon partnerëve perëndimorë mbështetje për zgjerimin e industrisë vendase të prodhimit të armëve për të mposhtur forcat ruse. Pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon prej më shumë se tre vjetësh.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy njoftoi se ka diskutuar me zyrtarët amerikanë për mundësitë e zhvillimit të prodhimit të përbashkët të armëve dhe vendosjen e sanksioneve të mëtejshme kundër Rusisë nga Uashingtoni.

"Diskutuam rrugë të ndryshme për bashkëpunim, se si të arrijmë paqe të vërtetë dhe të garantojmë sigurinë e Ukrainës", shkroi Zelenskiy pas takimit në Kiev.

Pjesë e bisedimeve ishin "marrëveshjet e forta dypalëshe për prodhimin e përbashkët të dronëve dhe të armëve, të cilat ia kemi propozuar SHBA-së. Ne presim një përgjigje pozitive nga Shtetet e Bashkuara," shtoi lideri ukrainas.

Rheinmetall është një nga prodhuesit më të mëdhenj të pajisjeve ushtarake në Evropë dhe ka qenë një furnizues kyç për Ukrainën që nga nisja e agresionit rus në vitin 2022. Kompania ka ndihmuar me dërgesa municionesh, automjetesh të blinduara dhe sisteme armatimi moderne për të përforcuar mbrojtjen e Kievit.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat