Kosova Postuar më 13 Shtator 2025, 11:37

Pezullimi i Dialogut Strategjik me SHBA, reagon biznesi - “Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, jetike për Kosovën”

Nga Kristi Ceta

Pezullimi i Dialogut Strategjik me SHBA, reagon biznesi -

Dhoma e Tregtisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës shprehën shqetësim për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara. Institucionet kërkojnë veprime urgjente nga qeveria për të rivendosur marrëdhëniet me SHBA-në dhe për të rikthyer besimin e investitorëve të huaj.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë reaguar me shqetësim të thellë pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me vendin. Ky proces shikohej si një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Dhoma e Tregtisë thekson se marrëdhëniet me SHBA-të janë jetike për Kosovën, duke kujtuar se Amerika ka qenë gjithmonë partner strategjik në ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik. Institucioni vlerëson se çdo veprim që dëmton këtë raport është kundër interesave të qytetarëve dhe të ardhmes ekonomike të vendit.

Në reagimin e saj, Dhoma rikujtoi se kishte kërkuar që qeveria të hiqte me urgjencë taksën ndaj produkteve amerikane, por hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi u vlerësuan si të vonuar dhe joefektivë.

Nga ana tjetër, burime nga Oda Ekonomike thanë se pezullimi i Dialogut Strategjik është një hap prapa për aspiratat ekonomike e diplomatike të Kosovës. Ai theksoi se krijimi i një imazhi të besueshëm për shtetin si një destinacion i sigurt për investime duhet të jetë prioritet kombëtar.

Zyrtarët e Odës ngritën shqetësimin për mungesën e investimeve të huaja dhe rënien e remitancave nga diaspora, që po krijojnë një situatë të vështirë për ekonominë vendase. Ata përmendën edhe sfidat e liberalizimit të tregut të energjisë, që kanë shtuar barrën për bizneset.

Të dyja organizatat ekonomike apeluan për gjetjen sa më të shpejtë të një zgjidhjeje dhe rivendosjen e Dialogut Strategjik me SHBA-të, duke kërkuar gjithashtu konsolidimin e politikave ekonomike për të rikthyer besimin e investitorëve të huaj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat