Bota Postuar më 10 Mars 2023, 10:47

Ajay Banga në krye të Bankës Botërore - Rritet mbështetja për kandidatin e presidentit amerikan Biden

Nga SCAN TV
Ajay Banga në krye të Bankës Botërore - Rritet

Tre fitues të çmimit Nobel dhe dhjetëra liderë të shoqërisë civile, ndryshimeve klimatike dhe filantropë miratuan emrin e kandidatit të presidentit amerikan Joe Biden për të drejtuar Bankën Botërore: ish-drejtori ekzekutiv i Mastercard, Ajay Banga.

Joseph Stiglitz, i cili fitoi çmimin Nobel për ekonominë në vitin 2001, Presidentja e Fondacionit të Amerikës së Re Anne-Marie Slaughter dhe Fred Krupp, president i Fondit për Mbrojtjen e Mjedisit, ishin midis 53 personave që nënshkruan një deklaratë që mbështet Bangan.

Sipas tyre Ajay Banga posedon një kombinim të rrallë të lidershipit; historik të ndërtimit të aleancave të suksesshme në sektorët publikë, privatë dhe socialë; dhe përvojë pune në vendet në zhvillim. Ata theksojnë se ai është personi i duhur për të drejtuar Bankën Botërore në këtë moment kritik.

Deklarata pasqyron mbështetjen në rritje për kandidaturën e Banga, një qytetar amerikan me origjinë indiane, që ka fituar mbështetje nga India, Kenia, Gana dhe Bangladeshi dhe ka marrë vlerësime pozitive nga Franca dhe Gjermania në takimin e muajit të kaluar të zyrtarëve të financave të G 200ës.

Presidenti i SHBA, Joe Biden, muajin e kaluar emëroi Banga, 63 vjeç, për të zëvendësuar David Malpass, i cili njoftoi dorëheqjen e tij pas muajsh polemikash mbi dështimin e tij fillestar për të sqaruar nëse mbështeste ose jo konsensusin shkencor mbi ndryshimin e klimës.

Nënshkruesit theksuan punën e Bangas në një program bujqësor në Amerikën Latine që synon forcimin e qëndrueshmërisë së fermerëve ndaj fatkeqësive klimatike dhe një program sigurimi të të korrave që ai krijoi me Bankën Botërore të Ushqimit dhe partnerët privatë.

Në letrën e firmosur shkruhej gjithashtu se ai e kupton se Banka Botërore duhet të shërbejë si një shumëfishues i forcës duke vendosur axhendën e duhur dhe më pas duke katalizuar veprimet në të gjithë qeveritë, sektorin privat, bankat e zhvillimit shumëpalësh, shoqërinë civile dhe filantropitë.

Asnjë kandidat tjetër nuk është shpallur publikisht, megjithëse Rusia thotë se po konsultohet me aleatët e saj për emërimin e kandidatit të tyre, në një lëvizje që mund të ngadalësojë përparimin drejt objektivit të bankës për të zgjedhur një president të ri deri në fillim të majit.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat