Europa Postuar më 4 Mars 2024, 10:06

Zvicra miraton pensionin e 13-të - Më shumë mbështetje për të moshuarit përballë inflacionit

Nga SCAN TV
Zvicra miraton pensionin e 13-të - Më shumë mbështetje

Zvicra votoi pro rritjes së pensioneve në një referendum, pasi shqetësimi për kostot e jetesës dhe mbështetja për një rrjet më të fortë të sigurimeve shoqërore ishin dhe temat kryesore të tij. Njëkohësisht, një votim i veçantë për rritjen e moshës së pensionit të Zvicrës në 66 nga 65, u refuzua plotësisht nga tre të katërtat e votuesve.

Rezultatet e përkohshme zyrtare të publikuara nga qeveria treguan se mbi 58% e votuesve mbështetën pensionin shtesë, një pagesë mujore e 13-të në vit, me më pak se 42% kundër, një fitore më e bindshme se sa kishin sugjeruar sondazhet përfundimtare.

Masa, e cila u promovua nga Federata e Sindikatave Zvicerane dhe partitë e majta të qendrës, kishte nevojë gjithashtu për mbështetjen e shumicës së 26 kantoneve të Zvicrës për t'u miratuar. Shumica e mbështetën atë, me opozitën më të fortë në kantonet me taksa më të ulëta.

Qeveria, lobet e biznesit dhe parlamenti, i cili aktualisht anon djathtas, e kishte refuzuar propozimin si të pasigurtë financiarisht. Votuesit zviceranë në të kaluarën kanë qenë të kujdesshëm në lidhje me masat mbështetëse të konsideruara si të rrezikshme për biznesin.

Votimi i pensioneve është në kontrast me referendumet e dekadave të fundit, në të cilat Zvicra refuzoi qartë propozimet që do të shkurtonin javën e punës dhe do t'u jepnin njerëzve më shumë pushime.

Shqetësimi për koston e jetesës është i përhapur në vendin e pasur. Zyrihu, bashkia më e madhe e Zvicrës, u krahasua me Singaporin si qyteti më i shtrenjtë në botë në një studim të botuar në nëntor nga ‘Economist Intelligence Unit’.

Nuk është e qartë se si do të financohet rritja e pensioneve, e cila duhet të hyjë në fuqi nga viti 2026. Kundërshtarët e këtij propozimi thonë se kjo mund të shkaktojë rritje të taksave ose shkurtime të shpenzimeve dhe të rëndojë mbi zviceranët e rinj. Pensioni minimal i pleqërisë dhe të mbijetuarve në Zvicër është 1225 franga, ose 1393 dollarë në muaj dhe maksimumi 2450 franga. Për çiftet është e kufizuar në 3675 franga.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll
Shqipëria 4 Mars

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan është blerë sot me 95.5 lekë dhe është shitur me 96.3 lekë sipas kursit të këmbimit lokal. Monedha europiane sakaq blihet sot me 103.6 lekë......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat