Bota Postuar më 4 Korrik 2023, 11:51

“Threads”, aplikacioni që do të zhdukë Twitter - Platforma e re shfrytëzon momentin e dobësisë së rrjetit të Musk

Nga SCAN TV
“Threads”, aplikacioni që do të zhdukë Twitter -

Quhet Threads dhe po ta mendosh mirë është një emër banal. Por, përkundrazi nënkupton një plan specifik: të dëmtojë shumë Twitter, duke përfituar nga gjendja e brishtë në të cilën ndodhet rrjeti social prej kohësh tashmë. Threads është aplikacioni i ri i Meta, pronare e WhatsApp, Facebook e Instagram, dhe do të jetë e disponueshme që nga data 6 korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është një aplikacion i studiuar në detaje për të bërë atë që bën sot Twitter: të lejojë një fluks të vazhdueshëm postimesh të përbërë prej tekstesh. Një lloj klonimi i Twitter, por pa vendimet e çuditshme të Elon Musk.

Prezantimi i Threads ishte pak surprizë. Duket qartë se Zuckerberg kërkon të përfitojë nga momenti jo i mirë i Twitter, që po përballet me probleme të ndryshme. Faktikisht Threads duhet të jetë shumë i lidhur me Instagram, në kuptimin që duhet t’i lejojë përdoruesve që të ndjekin profilet që ndjekin tashmë në Instagram dhe të ruajnë të njëjtin emër përdorimi. Me ndryshimin që Threads do të jetë një rrjet social që mbështetet në tekste, në postime të shkurtra të stilit të Twitter.

Prezantimi vjen pasi Twitter vendosi një sërë kufizimesh në aplikacion, duke përfshirë kërkesën për verifikimin për të përdorur TweetDeck. Njoftimet e fundit të Musk për të adresuar problemin e grumbullimit të të dhënave kanë shkaktuar një reagim të ashpër nga përdoruesit e Twitter, me hashtags për braktisjen e platformës që janë bërë më të shpeshta.

Ajo që është dukur qartë këto ditë është mungesa e një alternative të vërtetë ndaj Twitter. Tani kartat në tavolinë mund të ndryshojnë me shpejtësi, sepse Threads nuk po lançohet nga start-up-i klasik i etur për të zgjeruar tregun e mediave sociale, por nga Meta, kompania më e madhe e rrjeteve sociale në botë. Sfida sapo ka nisur.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll
Bota 3 Korrik

A po i vjen fundi kriptovalutave?

Crypto ka rënë për muaj të tërë, nga rregullatorët që paralajmërojnë për mashtrime dhe ndjekjen penale të kompanive deri te vlerat në rënie. Por a është fundi......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat