Shqipëria Postuar më 27 Qershor 2022, 13:21

“Amnistia e parave” drejt borxhit publik - Ku do të orientohen pasuritë e legalizuara?!

Nga SCAN TV

Nëse ligji për amnistinë fiskale do të arrijë të marrë miratimin në parlament pa u ndryshuar, atëherë në funksion të zbatimit të tij duhet të nisë një zinxhir veprimesh.

Hapi i parë është ngritja e Njësisë për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Kjo njësi do të jetë në varësinë direkte të Drejtorit të Tatimeve.

I gjithë procesi i deklarimit vullnetar të parave dhe pasurive do të zgjasë 9 muaj ndërsa përpunimi i deklarimeve nga njësia, do të zgjasë deri në përfundim të shqyrtimit të plotë të tyre.

Por si do të funksionojë amnistia fiskale?

Amnistia në thelb përfshin dy natura deklarimesh, e para për kompanitë dhe qytetarët rezidentë në Shqipëri që të mund të deklarojnë bilancet reale dhe e dyta, për kompanitë dhe qytetarët rezidentë apo jorezidentë që mund të deklarojnë pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë paratë e sendet e çmuara, në mënyrë që t’i legalizojnë ato.

Në funksion të këtij ligji është caktuar edhe ai që njihet si Tatim i Posaçëm, që në thelb tenton të orientojë fondet e padeklaruara në ekonominë formale të vendit.

Tatimi i posaçëm është i ndarë në 2 fasha të ndryshme, që përfshijnë paratë nga njëra anë dhe pasuritë e paluajtshme nga ana tjetër.

Në mënyrën sesi është hartuar drafti, kuptohet se paratë e deklaruara, tentohet t’i kalojnë në investim në ekonominë formale, sidomos drejt titujve shtetërore.

Në rastet e deklarimit vullnetar të parave, opsioni i parë është ai i tatimit me 7 përqind për 4 muajt e parë të vitit dhe më pas 10 përqind.

Por nëse këto para, deklaruesi do të vendosë që t’i investojë në titujt shtetërore, bono thesari dhe obligacione afatgjata, atëhere tatimi ulet ndjeshëm, në 5 % për 4 muajt e parë dhe 7 përqind për periudhën pas 4 muajve.

Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare synon që edhe procesin e aministisë fiskale ta vendosë në funksion të projektit të ri për ristrukturimin e borxhit publik.

Por cilat janë kufizimet e këtij ligji?

Një element i rëndësishëm i nismës është se pasuria që lejohet të deklarohet vullnetarisht nuk duhet të kalojë vlerën maksimale 2 000 000 (dy milionë) euro.

Ata që vendosin të legalizojnë paratë e tyre, nuk do të mund t’i transferojnë ato jashtë vendit për të paktën 5 vite dhe as t’i tërheqë ato deri në përfundim të afatit të këtij ligji.

Në rast se do të ketë një transferim para afatit 5 vjeçar atëhere do të duhet të paguajë një penalitet në masën 30 % të shumë së transferuar.

Një nga pikat më të debatueshme të amnistine fiskale është garancia shtetërore se deklaruesi nuk do të ketë ndjekje penale.

E në këtë rast, në nenin 22 të draftit të propozuar parashikohet se subjektet që bëhen pjesë e nismës, përjashtohen nga veprat penale në fushën tatimore dhe doganore, që do të thotë se nuk do të ketë ndjekje penale për evazion.

Po ashtu, në projektligjin e ri specifikohet se deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të legalizimit të pasurive nga ana e subjekteve përfituese, sipas këtij ligji, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si indicie apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të këtyre subjekteve.

Realizimi i një amnistie fiskale të plotë ka qenë një  kërkesë e vazhdueshme edhe e biznesit. Në vitet e mëparshme janë realizuar disa falje fiskale, po që nuk kanë sjellë rezultatin e pritshëm për shkak të mungesës së garancive për mosndjekjen penale të deklaruesve.

Pritshmëritë janë që amnistia fiskale t’i japë një puls të ri ekonomisë, pasi në sistemin formal potenciali është që të përfshihen më shumë se 2 miliardë euro.

SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=y9lTYibfSxU

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat