Bota Postuar më 8 Tetor 2025, 09:31

Energjia e rinovueshme tejkalon qymyrin - Kina dhe India kryesojnë rritjen globale të burimeve të gjelbra

Nga Kristi Ceta

Energjia e rinovueshme tejkalon qymyrin - Kina dhe India kryesojnë rritjen

Impiantet e erës dhe diellit në botë kanë gjeneruar më shumë energji elektrike sesa termocentralet e qymyrit për herë të parë këtë vit, duke shënuar një pikë kthese për sistemin global të energjisë.

Një raport i institutit të klimës Ember zbuloi se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2025, energjia e rinovueshme tejkaloi kërkesën në rritje për energji elektrike në botë, duke çuar në një ulje të vogël të përdorimit të qymyrit dhe gazit.

Bota prodhoi rreth një të tretën më shumë energji diellore në gjysmën e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024, duke plotësuar 83% të rritjes globale të kërkesës. Energjia e erës u zgjerua me pak më shumë se 7%, duke lejuar që burimet e rinovueshme të zënë vendin e karburanteve fosile për herë të parë.

Sipas raportit, Kina dhe India ishin kryesisht përgjegjëse për zgjerimin e energjisë së rinovueshme, në kontrast me SHBA-në dhe Evropën, që mbështeten më shumë në karburantet fosile.

Një raport tjetër nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) gjeti se kapaciteti global i energjisë së rinovueshme mund të dyfishohet deri në fund të dekadës, me 80% të kapacitetit të ri të gjelbër që pritet të vijë nga energjia diellore.

Kina do të mbetet tregu më i madh për rritjen në këtë sektor, ndërsa India do të renditet e dyta gjatë dekadës së ardhshme.

Pekini shtoi më shumë kapacitet të gjelbër se gjithë shtetet e tjera së bashku, duke sjellë një tkurrje prej 2% të përdorimit të karburanteve fosile në gjysmën e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat