Scan Life Postuar më 27 Shtator 2025, 11:32

Zbulohet “superushqimi” për bletët - Rrit shkallën e lindjeve, pritet ti japë fund rënies alarmante të popullatës

Nga Lidion Kulla

Zbulohet “superushqimi” për bletët - Rrit shkallën e

Një studim i udhëhequr nga Universiteti i Oksfordit ka zhvilluar një suplement ushqimor të modifikuar, që mund të ndihmojë në parandalimin e rënies alarmante të popullatës së bletëve në mbarë globin.

Suplementi, i projektuar për të imituar përbërësit thelbësorë që gjenden në polenin e bimëve, përmirëson ndjeshëm riprodhimin e kolonive, sipas gjetjeve të botuara në revistën shkencore, Nature (Natyra).

Bletët, që luajnë një rol kritik në pjalmimin e mbi 70% të kulturave në rang global, përballen me kërcënime në rritje nga ndryshimet klimatike dhe intensifikimi i bujqësisë, që kanë zvogëluar ndjeshëm sipërfaqet me lule. Gjithashtu, një efekt negativ e kanë dhënë edhe insektet dhe patogjenët.

Poleni, një përbërës kyç i ushqimit të bletëve, siguron lipide specifike të quajtura sterole, të cilat janë jetësore për zhvillimin e bletëve, por zëvendësuesve komercialë të polenit shpesh u mungojnë këto lëndë ushqyese. Çështja kryesore është se zëvendësuesi i ri i polenit nuk është thjesht një sheqer, që bletërritësit e përdorin aktualisht gjatë stinës së dimrit; superushqimi i ri përmban të gjitha lëndët ushqyese të nevojshme për të krijuar pasardhës të shëndetshëm. Autorja kryesore e studimit, Profesorja Geraldine Wright, nga Departamenti i Biologjisë në Universitetin e Oksfordit, e quan atë “një ushqim të plotë për bletët”.

“Ne filluam të kuptonim se kishte boshllëqe gjatë vitit, kur bletët nuk kishin ushqim të mjaftueshëm në dispozicion, dhe kjo po bëhej gjithnjë e më e rëndësishme pasi pjalmimi i të korrave varej nga bletët. Por edhe ndryshimi i klimës ndikon në kohën kur bimët lulëzojnë. Dhe kështu ndonjëherë hasim këto periudha shumë të gjata ku nuk ka ushqim të mjaftueshëm për popullatat e bletëve.

Kjo prodhon kequshqyerje në atë popullatë dhe si rezultat humbasim shumë koloni, edhe për shkak të sëmundjeve. Pra, artikulli që sapo u botua përshkruan një shpikje, e cila tani do të bëjë të mundur që të ketë ushqim të plotë për bletët. Pra, një ushqim që përmban të gjithë makroelementët dhe mikroelementët që u nevojiten”.

Ekipi i Oksfordi, që udhëheq studimin, në bashkëpunim me institucione të tjera, krijuan majanë e ashtuquajtur “Yarrowia Lipolytica”, për të prodhuar gjashtë sterole kyçe të identifikuara në indet e bletëve.

“Përdorimi i kësaj majaje për të prodhuar sterolet do të thotë që ne mund të prodhojmë një zëvendësues të polenit, i cili mund të ushqejë kolonitë e bletëve për një kohë të pacaktuar. Dhe ky është një përparim vërtet i madh për bletërritësit, sepse historikisht nuk e kanë pasur një mjet të tillë në dispozicion. Ekonomia e prodhimit blegtoral në thelb nuk është përqendruar vërtet te insektet, apo në aspektin e nevojave ushqyese. Kështu, ne mendojmë se ky është një ndryshim i madh në këtë fushë, që po zgjerohet dhe po rritet paralelisht me rritjen e popullsisë së njerëzve”.

Gjatë provave tremujore në serra të kontrolluara, kolonitë e ushqyera me suplementin e pasuruar me sterole, rritën deri në 15 herë më shumë larva, krahasuar me ato që u ushqyen me dietat standarde. Këto koloni gjithashtu e mbajtën prodhimin e bletëve më gjatë.

“Ishte laboratori im dhe laboratori i bashkëpunëtorëve të mi në Universitetin e Jerusalemit në Izrael, që zhvilluan këtë zëvendësues të polenit. Ne kemi punuar për më shumë se 15 vjet. U bazuam në testimin e mijëra recetave të ndryshme për këtë zëvendësues të polenit dhe u bazuam në testimin e shumë burimeve të ndryshme të steroleve. Ne kuptuam se të gjitha burimet natyrore që mund të vendosnim në një zëvendësues të polenit, thjesht nuk kishin sterol të mjaftueshëm për ta bërë atë një kandidat të vlefshëm. Dhe kjo është arsyeja pse vendosëm të zhvillonim majanë për të prodhuar sterolin”.

Me potencialin për të zvogëluar konkurrencën mbi polenin e egër, studiuesit shpresojnë se inovacioni mund të forcojë rezistencën e bletëve dhe të mbështesë sigurinë ushqimore në rang global. Tani janë planifikuar prova në terren të hapur për të konfirmuar përfitimet afatgjata. Kompania belge, Apix Biosciences po bashkëpunon me ekipin e Oksfordit për të filluar prodhimin komercial të ushqimit në vitin 2026.

Profesorja e Universitetit të Oksfordit shprehet gjithashtu, se synimi është që ky zëvëndësues i polenit të jetë i përballueshëm financiarisht për bletërritësit. “Zëvendësuesi i polenit do të jetë më i shtrenjtë se ato që janë aktualisht në treg. Por është ushqimi i përsosur. Pra, ne parashikojmë se do të jetë më i mirë për bletët në planin afatgjatë, dhe për këtë arsye bletarët do të duhet të përdorin më pak ushqim për të ndihmuar kolonitë e tyre”, shprehet Wright.

Sipas studimit, kur bletët ushqehen mirë, ato janë në gjendje të bëjnë më të mirën kundër sëmundjeve, patogjenëve dhe insekteve. Studimi i ri mendohet se është një gur themeli, për të adresuar rënien e numrit të bletëve, në dekadat e fundit.

Teknologjia që është zhvilluar në laborator mundëson krijimin e një ushqimi, që nuk varet nga poleni i luleve. Aktualisht në treg ka zëvendësues të tjerë të polenit, por nuk janë të plotë dhe u sigurojnë bletëve vetëm disa nga lëndët ushqyese që u nevojiten, jo të gjitha. Me popullatat e bletëve në kërcënim, në të gjithë botën, Wright beson se ky superushqim i ri mund të jetë një armë vendimtare për të ndaluar rënien.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat