Scan Life Postuar më 18 Qershor 2025, 13:38

Zbulohet qyteti më i mirë për të jetuar në botë - Cili vend ka “rrëzuar” Vienën nga kreu i renditjes?

Nga Kristi Ceta

Zbulohet qyteti më i mirë për të jetuar në botë -

Pas një periudhe trevjeçare në krye të listës globale vjetore nga Njësia e Inteligjencës Ekonomike (EIU), kryeqyteti austriak i Vienës është mposhtur nga Kopenhageni. Kryeqyteti i Danimarkës ka marrë pozicionin e parë në renditjen e vendeve më të mira për të jetuar në vitin 2025.

Njësia e Inteligjencës Ekonomike, një organizatë simotër e revistës The Economist, renditi 173 qytete në të gjithë botën bazuar në një numër faktorësh, duke përfshirë kujdesin shëndetësor, arsimin, stabilitetin, infrastrukturën dhe mjedisin.

Kopenhageni triumfoi pasi mori rezultate "perfekte" për stabilitetin, arsimin dhe infrastrukturën, ndërsa Viena u rendit në vendin e dytë, së bashku me qytetin zviceran të Zyrihut.

Melburni i Australisë mbajti vendin e katërt, ndërsa Gjeneva ishte e pesta në listë.

Jashtë pesë të parëve, Sidnei i Australisë u ngjit nga vendi i shtatë në të gjashtin, ndërsa qyteti japonez Osaka dhe Auckland (Okland) i Zelandës së Re zunë së bashku vendin e shtatë. Në vendin e nëntë, Adelaide ishte qyteti i tretë australian që u rendit në 10 vendet e para, ndërsa Vankuveri i Kanadasë zuri vendin e dhjetë.

Por pse Viena dështoi të dilte në krye këtë vit? Qyteti austriak shënoi rezultate të mira në shumicën e kategorive, përveç rënies së stabilitetit. Ky rezultat erdhi si pasojë e incidenteve të fundit, duke përfshirë një kërcënim me bombë në një koncert të Taylor Swift verën e kaluar, gjë që çoi në anulimin e eventit.

"Jetueshmëria globale ka mbetur e pandryshuar gjatë vitit të kaluar, dhe ashtu si në vitin 2024, rezultatet për stabilitetin kanë rënë në nivel global", tha në një deklaratë zëvendësdrejtori i industrisë në EIU.

Megjithatë, Viena nuk ishte i vetmi qytet që mori nota më të ulëta për një kategori ku më parë kishte performuar shumë mirë. Kalgari i Kanadasë, që zuri vendin e pestë në vitin 2024, ra nga 10 vendet e para këtë vit, duke u zhvendosur në pozicionin e 18. Ky ndryshim erdhi si pasojë e rezultateve më të ulëta në kujdesin shëndetësor, së bashku me tre qytete të tjera kanadeze. Toronto gjithashtu u rendit më poshtë këtë vit, duke rënë nga vendi i 12 në të 16-in.

Ndërkohë, qytetet e Mbretërisë së Bashkuar, si Londra, Mançesteri dhe Edinburgu gjithashtu lëvizën poshtë në renditje pasi morën rezultate më të ulëta në kategorinë e stabilitetit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat