Scan Life Postuar më 3 Dhjetor 2024, 10:40

Vendet me ekuilibrin më të mirë punë-jetë - Finlanda renditet e para. Australia, shteti me raportin më të keq

Nga Kristi Ceta

Vendet me ekuilibrin më të mirë punë-jetë - Finlanda

Ekuilibri punë-jetë nuk ka qenë ndonjëherë më i rëndësishëm për punonjësit sesa sot, dhe vendi ku jetojmë shpesh përcakton sa e lehtë apo e vështirë është ta gjesh balancën e duhur.

Remitly (RELY), një kompani që i ndihmon emigrantët të dërgojnë para në vendet e tyre më lehtë, anketoi 4200 të rritur që punojnë në 22 vende, kryesisht në Evropë dhe Amerikë, për të mësuar më shumë rreth raportit të tyre punë-jetë.

Në vendin e pestë të shteteve me ekuilibrin më të mirë, gjejmë Zelandën e Re, e cila u vlerësua pozitivisht falë ditëve relativisht të shkurtra të punës për banorët dhe orareve të reduktuara të udhëtimit. Franca mban pozicionin e katërt, me pushime të gjata për punëtorët dhe një ditë të shkurtër pune në krahasim me vendet e tjera.

Zvicra njihet për ditë të gjata në zyrë, por e gjejmë në vendin e tretë falë cilësisë së lartë të punës dhe kohës bujare të pushimeve. Danimarka renditet e dyta, me një ditë të shkurtër pune, kohë të reduktuar udhëtimi dhe një rezultat të përgjithshëm të lartë të cilësisë. Vendi me raportin më të mirë punë-jetë është Finlanda, falë banorëve që shijojnë ditët e shkurtra dhe cilësinë mbresëlënëse të punës, si dhe pushimet e gjata për t’u shkëputur nga ngarkesa e përditshme.

Nga ana tjetër, Hungaria u rendit vendi i pestë më i keq për sa i përket ekuilibrit të brishtë, me banorët që vuajnë orare të zgjatura dhe udhëtime të konsiderueshme. Shtetet e Bashkuara u renditën në vendin e katërt më të keq, falë orëve të gjata në zyrë, pushimeve të shkurtra dhe punonjësve që raportuan një kohë mesatare gjumi prej vetëm 6 orë e 31 minuta.

Irlanda ndodhet e treta në listë, me një rezultat të ulët të cilësisë dhe punëtorët që ankohen për udhëtime të gjata. Klasifikimi i Norvegjisë në vendin e dytë nga fundi mund të jetë befasues, por banorët raportuan se nuk flinin mjaftueshëm, kishin cilësi të ulët pune dhe qëndronin për shumë orë të angazhuar. Në fund të renditjes ndodhet Australia, që dallohet për ditë të gjata pune, me udhëtime që harxhojnë shumë kohë dhe punë me cilësi të ulët.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat