Scan Life Postuar më 9 Korrik 2025, 10:37

Sa para kanë grumbulluar miliarderët në një dekadë? - Shuma mjafton për të eliminuar varfërinë vjetore 22 herë

Nga Kristi Ceta

Sa para kanë grumbulluar miliarderët në një dekadë? -

Sipas raportit të fundit, 1% e miliarderëve në botë ka shtuar pasurinë me 33.9 trilionë dollarë që nga viti 2015. Kjo shumë do të mjaftonte për të zhdukur varfërinë globale vjetore 22 herë.

Sipas raportit të fundit të Oxfam, në dhjetëvjeçarin e fundit, 1 përqindëshi më i pasur i popullsisë së botës ka shtuar të paktën 33.9 trilionë dollarë në pasuritë e veta. Oxfam thekson se kjo shumë do të mjaftonte për të eliminuar varfërinë globale vjetore 22 herë, sipas standardit më të lartë të Bankës Botërore për kufirin e varfërisë (8.30 dollarë në ditë).

Vetëm miliarderët, rreth 3,000 persona në të gjithë botën, kanë fituar 6.5 trilionë dollarë që nga viti 2015, thuhet në raport.

“Sasia e jashtëzakonshme e pasurisë që është përqendruar në duart e pakicës është përkthyer edhe në pushtet politik, duke shtyrë botën drejt një sistemi oligarkik, ku individët ultra të pasur kanë aftësinë të ndikojnë në vendimmarrjet politike dhe ekonomike në mënyra që shtojnë edhe më shumë pasurinë e tyre,” sqaron dokumenti.

Shqetësimet për pabarazinë e pasurisë janë shtuar në vitet e fundit. Në fillim të vitit 2024, Oxfam paralajmëroi se nëse vazhdojnë tendencat aktuale të pabarazisë, bota mund të ketë trilionerin e saj të parë brenda një dekade.

Në raport përmendet një propozim i paraqitur nga një ekonomist gjatë samitit të G20 në Brazil, që kërkon vendosjen e një takse minimale prej 2% mbi pasuritë e 3,000 miliarderëve në botë, me të ardhura vjetore të vlerësuara në 200 deri në 250 miliardë dollarë.

Ideja për taksimin e pasurive të mëdha është debatuar prej vitesh. Në një intervistë vitin e kaluar, një profesor i taksave nga Universiteti i Uellsit të Ri Jugor e përshkroi pabarazinë e thellë si “një katastrofë për kohezionin shoqëror.”

“Pa dyshim që një pjesë e parave të tepërta në majë të piramidës mund të përdoret për të ndihmuar njerëzit që janë në fund të saj. Dhe ndoshta kështu do të kishim një shoqëri më të drejtë dhe më efikase,” tha ai.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat