Scan Life Postuar më 24 Nëntor 2025, 09:42

Puna hibride, IA “liron” një ditë në javë - Studimi: Teknologjia shton produktivitetin dhe përmirëson bashkëpunimin

Nga Kristi Ceta

Puna hibride, IA “liron” një ditë në javë -

Në punët hibride, ku punonjësit ndajnë kohën mes zyrës dhe shtëpisë, inteligjenca artificiale po “liron” pothuajse një ditë në javë. Kjo kohë e lirë mund t’u dedikohet aktiviteteve të tjera dhe ndihmon në rritjen e produktivitetit. Jo vetëm kaq, por edhe forcon bashkëpunimin dhe dialogun ndërmjet brezave.

Në një botë ku kompanitë teknologjike fokusohen tek konsumatori, punonjësit shpesh punojnë në organizata më pak të avancuara se sa ata vetë. Kjo i bën shumë proaktivë në zbatimin e mjeteve të reja teknologjike.

Këto përfundime dalin nga një studim i International Workplace Group (IWG), platforma më e madhe globale për punën, i kryer mbi 2 mijë punonjës në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Sipas studimit, Gjenerata Z luan një rol udhëheqës në promovimin e përdorimit të inteligjencës artificiale, duke trajnuar kolegët dhe duke përmirësuar produktivitetin dhe bashkëpunimin në mjediset hibride të punës.

Ndikimin pozitiv të inteligjencës artificiale në bashkëpunim e përmend 69% e punonjësve që punojnë pjesërisht në distancë dhe pjesërisht në zyrë. Ata thonë se teknologjia po e bën më të lehtë punën në ekip mes zyrave të ndryshme, duke përmendur si përfitime përgatitjen më të mirë të takimeve (46%) dhe qasjen më të mirë në informacionet e përbashkëta (36%).

Duke marrë parasysh se 80% e punonjësve kanë provuar mjete të inteligjencës artificiale, sot një pjesë pothuajse e barabartë, 78%, janë në gjendje të llogarisin sa kohë kanë kursyer falë tyre: mesatarisht rreth 55 minuta në ditë, që korrespondojnë me një ditë të tërë pune shtesë në javë.

Eksperët thonë se “përparimet teknologjike, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale, po rrisin produktivitetin, po hapin mundësi të reja karriere dhe po lidhin gjenerata të ndryshme aftësish”. Sipas tyre, produktiviteti i shtuar, i mundësuar nga inteligjenca artificiale, po ndihmon në krijimin e ekipeve më të lidhura dhe më të shkathëta, të gatshme për të ardhmen e punës.

Punonjësit po e shfrytëzojnë kohën “e liruar” për aktivitete si puna kreative ose strategjike (41%), mësimi dhe zhvillimi profesional (41%) apo bashkëpunimi fizik (40%).

Rreth 86% e tyre thonë se inteligjenca artificiale i ka ndihmuar të përfundojnë detyrat e caktuara më shpejt, ndërsa 76% deklarojnë se teknologjia po përshpejton rritjen e tyre profesionale, një shifër që arrin 87% mes punonjësve të Gjeneratës Z.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat