Scan Life Postuar më 8 Gusht 2025, 10:06

Pse po përkeqësohen valët e nxehtësisë? - Ngrohja e oqeaneve po përshpejton krizën klimatike

Nga Kristi Ceta

Pse po përkeqësohen valët e nxehtësisë? - Ngrohja e

Gjatë vitit të fundit, valët e nxehtësisë kanë goditur rëndë shumë pjesë të botës, duke thyer rekorde të larta e duke rrezikuar jetën e miliona njerëzve. Në Shtetet e Bashkuara, temperaturat në muajin qershor kanë kaluar 40°C, ndërsa në Evropë, një valë nxehtësie “e pazakontë” goditi që në fillim të korrikut, më herët se zakonisht.

Sipas shkencëtarëve, këto ngjarje ekstreme janë pasojë direkte e ndryshimeve klimatike. Rritja e temperaturave po ndikohet fort nga emetimet e gazeve serrë, të shkaktuara kryesisht nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit natyror.

Një raport nga “World Weather Attribution” tregon se vala e nxehtësisë që goditi Azinë Qendrore në mars ishte rreth 4°C më e nxehtë për shkak të ndikimit të klimës. Ekspertët paralajmërojnë se nëse emetimet nuk reduktohen, temperaturat globale do të vazhdojnë të rriten dhe do të hyjmë në “territor të panjohur”.

Oqeanet, të cilat deri tani kanë përthithur rreth 90% të nxehtësisë së tepërt të krijuar nga ngrohja globale, janë gjithashtu në krizë. Temperaturat e sipërfaqes së tyre kanë arritur nivele rekord, duke ngritur shqetësime se po arrijnë kufijtë e kapacitetit për të përthithur më shumë nxehtësi. Nëse kjo ndodh, më shumë nxehtësi do të mbetet në atmosferë, duke përkeqësuar situatën.

Ndërkohë, pasojat për njerëzit janë gjithnjë e më të rënda. Ndërsa për disa, vera është kohë pushimesh dhe freskimi në plazh, për shumë të tjerë ajo përfaqëson një kërcënim real për shëndetin. NASA thotë se stresi i shkaktuar nga nxehtësia është dyfishuar në 40 vitet e fundit. Në zona me lagështi të lartë, kur temperatura kalon 35°C, trupi i njeriut nuk është më në gjendje të largojë mjaftueshëm nxehtësi. Në këto kushte ekstreme, njerëzit mund të rrezikojnë edhe vdekjen.

Gjatë valëve të fundit në Evropë, vetëm në verën e kaluar, janë raportuar rreth 2,300 vdekje në 12 qytete evropiane. Në vitin 2022, numri i vdekjeve nga nxehtësia në kontinentin e vjetër arriti deri në 61,000.

Valët e nxehtësisë shkaktojnë mungesa uji, thatësira, zjarre dhe humbje të biodiversitetit. Po ashtu, ato dëmtojnë ekonominë duke ulur produktivitetin e punëtorëve, sidomos atyre që punojnë në ambiente të jashtme.

Ekspertët kërkojnë masa të menjëhershme, që përfshijnë qëndrimin në mjedise të freskëta, përdorimin e teknologjive me karbon të ulët për ftohje (si energjia diellore), si dhe ndryshimin e orareve të punës dhe shkollës për të shmangur orët më të nxehta të ditës.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat